Politike

Debati në Kuvend/ Berisha, Felajt: Jep dorëheqjen, e shndërrove Prokurorinë e Tiranës në strofull familjare

Sali Berisha debatoi shkurt në Kuvend me Ermonela Felajn kur ishin parashikuar për miratim raportet vjetore të organeve të drejtësisë. Berisha iu referua emërimit të fundit nga KLP të motrës së Ermonela Felajt si prokurore në Prokurorinë e Tiranës.   

“Fakti që ju keni kufizuar në mënyrë ekstreme debatin sot, kur në përputhje me Kushtetutën, drejtësia vjen dhe raporton para parlamentit dëshmon shkallën e tmerrshme të inkriminimit tuaj.

Dëshmon se po silleni sikur të ishit banorë të 313, apo të Peqinit. Dëshmon se keni frikë dhe tmerr nga krimet tuaja elektorale, joelektorale, ordinere, aferat korruptive. Dëshmon se jeni skllevër të veprave tuaja kriminale, dhe nuk keni as dinjitetin, nuk keni as minimumin e guximit.

Vetëm ti nuk duhet të flasësh, se e shndërrove Prokurorinë e Tiranës në një strofull familjare. Turp, turp, turp!

Kaq kam për të thënë”, i tha Berisha Felajt.

“Duhet të largoheshit ju dhe familja juaj nga ky vend që jeni shpallur non grata për korrupsion masiv. Jam krenare për veten dhe familjen time, i kam shërbyer këtij shteti, në biografinë tonë nuk gjen asgjë të zezë, kurse ti je krejt i zi”, replikoi Felaj

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi renditjen e kandidatëve për tre pozicione vakante në Prokurorinë e Tiranës, ku në të tre rastet e para në listë u rendit prokurorja e Vlorës, Eranda Felaj.

Ajo është motra dhe familjarja e katërt e deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj.

Përgjatë katër viteve të fundit, në Prokurorinë e Tiranës janë emëruar edhe tre familjarë të tjerë të deputetes Felaj.

Për këtë çështje replikoi edhe Luan Baçi: “Shkelja e rregullores është bërë rutinë, nuk përbën lajm. Grumbullimi i të gjithë institucioneve të drejtësisë për t’i bërë një analizë, për t’i dëgjuar sot dhe për të folur në kohë të kufizuar… do kishit bërë vetëm një gjë të mirë sot që ju të paktën të mos ishit drejtuese e seancës për arsyen se keni uzurpuar gjithë Prokurorinë e Tiranës me familjarët tuaj. Kjo tregon që e keni bërë këtë shtet, drejtësinë dhe parlamentin, duke e mbajtur vetëm ju në një dorë….”

“Meqë i ke kaq merak familjarët e mi ta dish ti dhe gjithë të tjerët që familjarët e mi, përfshirë dhe unë vetë nuk na i ka dhënë ato tituj politika, por arsimi zotëri. Magjistrat të bën shkolla. Nuk jemi plepista, nuk jemi nga listat e Sali Berishës që i bënte gjyqtarët dhe prokurorët me lista. Ato çështje ka kush t’i trajtojë. Ju mos sillni familjarë në këtë sallë, është shumë e shpifur kultura juaj komuniste”, replikoi Felaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë