Gjykata e Apelit shqyrtoi sot çështjen e vulës dhe siglës së Partisë Demokratike.
Trupa gjykuese përbëhej nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Të pranishëm nga PD e Rithemelimit janë Gazment Bardhi, Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Albana Vokshi, Luciano Boci, Luan Baci dhe Elda Hoti. Ndërsa përfaqësues ligjor janë Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso.
Ndërsa grupi i Bashës përfaqësohet nga anëtari i Kryesisë Endri Hasa, ndërsa avokatë janë Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së së Rithemelimit, Ivi Kaso, ka paraqitur në seancën gjyqësore kërkesën për rrëzimin e ankimimit të Enkelejd Alibeajt, pasi sipas tij. pala tjeter nuk jane pale në proces. Avokati ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri dhe njohjen e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PD-së të datës 11 Dhjetor 2021.

“Gjykata e Lartë në vendimmarrjen e saj ka orientuar gjykatën e Apelit, duke pretenduar moskuptim të çështjes nga gjykata e Apelit. Kemi të bëjmë me një kërkesë ankimore e firmosur nga një palë që nuk ka qenë palë në proces dhe, si thotë gjykata e lartë, palë që nuk ka bërë asnjë kërkesë procedurale për të qenë në proces. Vetë pala është e paqartë në çfarë cilësie procedurale ka firmosur. Ka firmosur si nënkryetar apo si përfaqësues me autorizim. Deputeti Alibeaj firmos një ankim në prill kur kryetari i tij Lulzim Basha kishte dhënë dorëheqjen në mars. Kërkojmë mospranimin e ankimit të bërë nga Enkelejd Alibeaj”.
Pala e Lulzim Bashës këmbëngul se ankimimi i Enkelejd ALibeaj është bërë nga Partia Demokratike dhe jo si individ. Sipas tyre, në këtë proces PD është palë, e për rrjedhojë legjitimohet ankimimi i bërë, duke kërkuar të vijohet me shqyrtimin e themelit të gjykimit.

“Gjykata e Lartë konstaton se Apeli ka cilësuar se jemi në kushtet e vetëm një pale, Partisë Demokratike.
Në rastin konkret jemi në kushtet kur kemi një vijimësi të ushtrimit të detyrës së kryetarit të partisë, fillimisht nga Lulëzim Basha e më pas nga Enkelejd Alibeaj. Subjekti që ankimon nuk është Alibeaj, por është Partia Demokratike e përfaqësuar nga Alibeaj. Nëse kryetari Basha nuk është shkarkuar, ai i kishte tagrat të përcillte tagrat përfaqësuese tek Enkelejd Alibeaj. Në 21.3.22 Basha ka paraqitur dorëheqje, por kjo nuk i ka hequr tagrat e kryetarit të partisë. Kërkesa duhet të rrëzohet dhe duhet të vijojmë me shqyrtimin e themelit të gjykimit. Këtu nuk jemi në gjykim me palë kundërshtare. Procesi ka veç një palë, PD. Ajo që duhet të zgjidhë gjykata, cila është pala që ka tagrin e përfaqësimit të ligjshëm të PD.”, tha avokati Kthupi.
Vetë Gjykata rezervoi të shprehte një vendim në këtë moment por tha se do të përgjigjej në fund.
Çështja për vulën e Partisë Demokratike u rikthye në Apel pas vendimit të Gjykatës së Lartë me 27 dhjetor 2023. Në vendim, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.
Gjykata e Lartë zbardhi më 18 mars arsyet që prishën vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.