Lajme

Berisha akuzon Ramën: Shpëtoi nga burgu përjetë mikun e tij Dajti!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama se qëndron pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, që rrëzoi vendimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Berisha deklaron se Rama ka nje komunikim konstant me serial killerin, siç e quan ish-kryeministri.

“Sot, kreu i meduzës, pasi shtyu me vite verdiktin për serial killerin, vrasësin e katër oficerëve të policisë, Dritan Dajti, vendosi gjykimin e shkurtuar njëlloj si për serial killerin tjetëer të partisë Kostandin Xhuvani, - shkruan Berisha. - Edvin Kristaq Krimi, i cili ka një komunikim konstant me serial killerin Dritan Dajti shkelmoi sot dhe përdhosi gjakun jo vetëm të katër martirëve të rendit dhe sigurisë, dëshmorëve të atdheut Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, që ranë me dt 9 gusht të vitit 2009 në krye të detyrës nga dora vrastare e vrasësit serial Dritan Dajti, por edhe të qindra oficerëve të tjerë të policisë së shtetit që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për rendin dhe sigurinë tonë”.

Berisha shton se “për të realizuar këtë akt të shëmtuar të mikut të tij të dënuar me katër dënime përjetë nga Gjykata e Faktit për katër oficerët e policisë të vrarë nga dora e tij, Edi Rama përdori të gjitha mjetet e krimit dhe së fundi shpëtoi nga dënimi përjetë njërin prej kriminelëve më mizorë në historinë e vendit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë