Politike

Berisha: Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri, bëri marrëveshje me Ramën në Londër

Sali Berisha tha përmes një bashkëbisedimi me median se Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipëria.

Ish-zëvendës kryeministri është nën akuzë për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.

"Mediat njoftojnë se Tigri i Korrupsionit ka udhëtuar për në Londër, për një deal (marrëveshje) me Edi Ramën. Nuk mund të konfirmoj as të mohoj këtë udhëtim. Por edhe njëherë, siguroj shqiptarët se Arben Ahmetaj është një nga personat kryesorë të mega-aferës korruptive të djegësve. Por personi më kryesor, njëshi me distancë në këtë aferë, është personalisht Edi Rama. E kam përsëritur dhe e përsëris qindra herë, Edi Rama është njeriu që ka firmosur për kontratën me negociata të mbyllura në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit. Ai ka furnizuar fondin rezervë të Këshillit të Ministrave për sipërmarrjen e tij të djegësave.

Edi Rama është përgjegjësi më kryesor, numër një, pasi tetë muaj përpara se të formohej sipërmarrja e Mërtirit dhe Zotos, i akordoi asaj me vendim të Këshillit të Ministrave, bonusin prej 8 pikësh, paçka se ministrja Felaj i kishte thënë se ndërmarrja nuk ekzistonte.

Edi Rama është njeriu direkt përgjegjës për djegësat sepse dokumentet faktojnë se ai i ka bërë presion Ahmetajt për të firmosur. Janë pra një seri rrethanash. Edi Rama është implikuar me thjeshtrën e tij në fushën e Porto Romanos. Një ditë vendosi që aty të ndërtohej një eko-park. Por jo vetëm kaq, por projektin e eko-parkut do e bënte si nënkontraktore, kompania ku punon thjeshtra e tij. Mirëpo SKAP-i është i partisë dhe është sot për sot, organi më i kapur në drejtësinë dhe gjithë shtetin shqiptar", tha Rama.

Sali Berisha komentoi edhe Enkelejd Alibeajn, të cilin shpesh e ka akuzuar se është i lidhur me Edi Ramën dhe zbaton urdhrat e këtij të fundit. Sipas tij, zgjedhjet e 14 majit vërtetojnë ndarjen përfundimtare me të.

“Nëse më pyet nëse humbet gjë PD, ju garantoj se vetëm fiton. PD ndahet përfundimisht nga një grup, nga disa pengje të shpërfytyruara, të marrë peng nga Edi Rama për lidhjet me krimet, për aktivitetet e tyre kriminale ose të familjarëve të tyre të ngushtë. Në këtë aspekt, PD vazhdon si lokomotivë e idealeve, aspiratave më të mira të shqiptarëve”, tha Berisha.

Sa i përket listës së Këshilltarëve Bashkiakë për zgjedhjet e 14 majit, Berisha tha se do të merret si referencë lista e vitit 2015.

 Berisha tha se lista pritet të miratohet nga Kryesia dhe se do të jenë në kohë për ta dorëzuar, më 27 mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë