Libra

Berati në 123 skica, arkitekti Papastefani: Ka shumë për të treguar për qytetin 2400-vjeçar

Nga Gazeta Si - Duke ecur kalldrëmeve, duke kaluar kodra dhe kapërcyer ura, duke vizituar shtëpi të moçme dhe qendra muzeale dhe duke lëvizur nga një lagje në tjetrën, arkitekti Andi Papastefani sjell Beratin, qytetin e një mbi një dritareve në një kolazh me 123 skica “Në Berat duke u endur dhe skicuar”.

Pas Tiranës, është i dyti qytet që arkitekti fikson përgjatë tri viteve të fundit, ku çdo skicë vjen e realizuar me ngjyra duke përdorur laps, flamastër e pastel.

Por ndryshe nga Tirana që është qyteti i lindjes, sipas Papastefanit Berati përveç vjetërsisë si qytet, ka shumë për të treguar dhe për të eksploruar.

“Në rast se libri për Tiranën kishte lidhje me 100-vjetorin e parë të kryeqytetit dhe ishte më personal, duke qenë qyteti i lindjes, Berati u zgjodh për shkak të vjetërsisë 2400-vjeçare, ansambleve të veçanta, siluetave brenda lagjeve dhe kompleksitetit të qytetit dhe vendosjes në terren”, shprehet arkitekti për Gazetën “Si”.

Punimet e arkitektit janë realizuar në lagjet kryesore të Beratit si Mangalem, në Kala, në Goricë, në Murat Çelebi, etj.

“Është një itinerar vizual duke u nisur nga Kalaja, që është origjina dhe pjesa më e vjetër e qytetit, duke vazhduar me Mangalemin, ansamblin më fotogjenik, dhe më tej me lagjen Goricë, Qendrën Mesjetare, Lagjen Murat Çelebi. Së fundi libri prek ndërtimet pas pavarësisë, 1912-1944”.

Autori i kësaj përmbledhje, nëpërmjet skicimit, dokumenton jo vetëm godinat monumentale në gjendje të mirëmbajtur, por edhe ato të cilat rrezikojnë shembjen. Ai thotë se pjesa më e mirë e skicave janë përfunduar në vend, ndërsa një pjesë ka filluar në vend dhe është mbaruar më vonë.

“Gjatë realizimit të librit më ka bërë përshtypje, ajo që dukej përtej pamjeve përfaqësuese të ansambleve, pamjet që krijoheshin në rrugicat sipas terrenit me gjerësi të ndryshme, ‘format’ e qiellit që dukeshin nëpërmjet çative të dala si dhe lidhja organike me terrenin”, shprehet Papastefani për Gazetën “Si”.

Përmbledhja me skica

Rrugicat e banesat tipike me çardak, të pasqyruara nëpërmjet skicave ngrenë krye mbi qytetet e tjera të vendit, por edhe më gjerë në Ballkan.

“Duke u zhvilluar në pjerrësi në dy krahët e lumit Osum, Berati është një qytet panoramik. Pak qytete shqiptare kanë ansamble si Berati, dhe një raport organik me lumin. Gjithashtu në Mangalem dhe Goricë kemi një lidhje të shkëlqyer me terrenin, kodrat ku lagjet janë vendosur. Pavarësisht se mjaft nga tipet e banesave që janë në Berat i gjejmë dhe në vende të tjera, vendosja e tyre në relievin e Beratit ju jep atyre veçanti”, shton më tej arkitekti.

Sipas Papastefanit, si një udhëtar që ka marrë e ka dhënë impulse me qytetin duke e sjellë në qindra skica, Berati në dallim nga qytete të tjera ka histori të moçme, ansamble arkitektonike, pamje panoramike ku marrin pjesë male të larta, si Tomori dhe Shpiragu, lumenj të bollshëm si Osumi, bedena kalash, gjelbërim dhe traditë. Ndërsa skicimin ai e konsideron shumë subjektiv.

“Skicimi në dallim nga fotografia është më subjektiv, thekson atë që autori e quan të rëndësishme, dhe e lë pa vizatuar atë që ai e konsideron të tepërt. Kurse fotografia është realiste. Gjithashtu vizatimi tregon edhe simpatinë e autorit për subjektin”, vijon arkitekti.

Në fund ai thotë se “ky libër iu adresohet kryesisht të rinjve dhe studentëve, të njohin vlerat e qyteteve tona më të mira, si Berati që nesër t’i mirëmbajnë dhe përkujdesen për to”.

Por duke qenë një libër dygjuhësh, shqip-anglisht, pse jo kjo përmbledhje me skica mund t’ju shërbejë dhe turistëve të shumtë që vizitojnë qytetin e Beratit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë