Berat Gjimshiti është një nga lojtarët më stabël të Kombëtares. Titullar i padiskutueshëm me Atalantën dhe Shqipërinë, 27-vjeçari së fundi ka tërhequr vëmendjen edhe të dy prej klubeve më të mëdha në Europë, siç janë Milani dhe Ajaksi.
Sipas shtypit italian, këto dy klube e vlerësojnë Gjimshitin si një alternativë shumë të mirë për mbrojtjen. Ai luan me Atalantën që prej janarit të 2016-ës dhe sezonet e fundit ka fituar shumë përvojë edhe në nivel ndërkombëtar. Kontrata e mbrojtësit kuqezi me Atalantën skadon në vitin 2023 dhe sigurisht që klubi nga Bergamo nuk e lëshon lehtë.

Tek Atalanta Gjimshiti luan në çdo pozicion të mbrojtjes me 3 lojtarë, që trajneri Gasperini aplikon. Milani është në kërkim të një mbrojtësi dhe pas dëmtimit të francezit Simakan, në listë është shtuar edhe Gjimshiti, i cili pëlqehet shumë nga Paolo Maldini.
Kuqezinjtë kanë shumë nevojë për një lojtar në prapavijë, ndërsa tek Ajaksi konkurrenca do të ishte më e madhe për lojtarin e Kombëtares, pasi do të luftonte me Blind, Martinez, Shurus, Timber dhe Alvarez për një vend titullari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.