Ka ndodhur

Berat, arrestohen 3 vëllezërit që dhunuan e plagosën policin

Policia e Beratit ka arrestuar tre vëllezërit, pas sherrit të ndodhur mbrëmjen e kaluar në një lokal, ku u plagos edhe një efektiv policie. 

Policia thotë se në pranga ka rënë Gerald Marini 38 vjeç, Marjus Marini 42 vjeç dhe Arjan Marini, 40 vjeç si dhe u shpall në kërkim vëllai i tyre shtetasi A. M.

Këta shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta i kanë shkaktuar dëmtime të lehta shtetasit A. M dhe bashkëshortes së tij shtetases O. M dhe u plagos një punonjës policie.

Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, vëllezërit kanë dhunuar, goditur dhe kanë tentuar t’i marrin armën e shërbimit njërit prej punonjësve të policisë dhe gjatë konfrontimit fizik dyshohet se arma ka kryer qitje të pavullnetshme ku është plagosur në këmbë punonjësi i policisë Julian Xh., i cili pasi mori mjekim në Spitalin Rajonal Berat u transportua për në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë