Futboll

Belingham prish festën e Rolling Stones, përmbys Barcelonën i vetëm në ‘El Clasico’

Gazeta Si – Me 5-ën që mban mbi shpinë, që te Real Madrid do të thotë shumë, Xhud Belingham po bën çudira. Anglezi vendosi sot ‘El Clasico’-n e parë të karrierës me një dygolësh, që prishin festën e katalanasve dhe të ‘Rolling Stones’, të ftuar specialë nga klubi i Barcelonës për këtë ndeshje.

Ndeshja nisi me golin e Gyndogan që në minutat e para, duke sjellë edhe shpërthimin e Mick Jagger në tribunë. Por festa në stadiumin ‘Montjuic’ do të prishej në pjesën e dytë nga një Belingham fenomenal.

Anglezi barazoi shifrat me një të djathtë potente nga jashtë zonës, kurse në shtesë realizoi edhe golin e fitores 2-1 për Real Madrid. Është ai lojtari që po udhëheq skuadrën e Karlo Ançelotit në këtë kampionat, duke shënuar gola shumë të rëndësishëm, siç ishte edhe dopieta e sotme.

Anglezi përmbysi i vetëm Barcelonën, duke e çuar Realin 4 pikë para saj në renditje, pas 11 javësh. Madrilenët kanë gjetur yllin e ri, të cilën e blenë në verë nga Borusia Dortmund.

“Jemi të apasionuar pas futbollit dhe jemi të nderuar që ‘Spotify’ ka vendosur logon tonë 'Tongue&Lips' në fanellën e Barcelonës për celebrimin e daljes së albumit tonë të ri ‘Hackney Diamonds’. Do të bëjmë tifo për gjithë lojtarët në fushë dhe tifozët e gjithë botës që do ta shohin këtë ndeshje”.

Siç pritej, ‘Rolling Stones’ (Mick Jagger, Keith Richards e Ronnie Wood) ishin në tribunë për supersfidën mes Barceloëns dhe Realit të Madridit. Katalanasit për këtë rast veshën një fanellë speciale me logon ikonike të grupit britanik të rokut (sold out, pavarësisht se fanellat e limituara kushtonin deri në 3 mijë euro).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë