Bota

Belgjikë, vajzat bojkotojnë lokalet dhe diskot ku shitet ‘droga për përdhunim’

Mbrëmjet e kohës së lirë të studenteve janë të mbushura me frikë për shkak të përhapjes së “drogës së përdhunimit”, acidit ‘gama-hidroksibutirik Gbl’ ose ‘Ghb’, lehtësisht i disponueshëm në internet. Rastet po rriten nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar përmes Francës dhe Italisë dhe mjekët po japin alarmin për rrezikun e një substance që mund të çojë gjithashtu në koma dhe vdekje.

Këtë të premte, gazeta franceze “Le Figaro”, ia kushton hapjen e faqes së parë fenomenit dhe tregon sesi në Bruksel femrat kanë nisur një apel për të bojkotuar lokalet dhe klubet ku ka ndodhur dhuna: “T’i prekim në portofol, ku ata janë të ndjeshëm”, është slogani i ‘Unione Feminista Ufia’, e cila për këtë rast krijoi hashtagun #Nightlifeblackout dhe #Balancetonbar (denonconi lokalin tuaj), që i bën jehonë më të famshmes #Balancetonporc (‘denonco derrin tuaj’), të krijuar në Francë në valën e #Metoo.

Organizata u bëri thirrje autoriteteve të qytetit që të marrin masa të qarta, veçanërisht “për të identifikuar, arkivuar dhe sanksionuar në mënyrë sistematike ambientet ku ndodh dhuna”.

Në Belgjikë, vala e #Balancetonbar nisi nga dy kafenetë e Brukselit, ‘Waff’ dhe ‘El Café’, të vendosura në një lagje studentore pranë varrezave të ‘Ixelles’. Këtu do të drogoheshin të rejat dhe më pas do të përdhunoheshin. Jo nga klientët. por nga një punonjës që punonte në të dy ambientet. Për këtë arsye, nën akuzë kanë përfunduar edhe drejtuesit e dy lokaleve, të cilët kanë mbyllur sytë për të dyja drogat e derdhura fshehurazi në pije dhe për të shkuarën dhe sjelljen e disa kamerierëve.

Protesta u nis në fillim të tetorit nga Maïté Meeus, 23 vjeçe, e cila krijoi llogarinë në “Instagram balance ton bar”, ku viktimat mundën të tregonin historinë e tyre: “Unë shkova me një mikun tim tek “You” (një klub nate në Bruksel). U zgjova me një të panjohur, thuajse që donte të më ndihmonte, ndërsa partnerja ime u zgjua para një apartamenti, e mbështjellë në trup, por me pantallonat ulur”, tha një vajzë.

“Kam pirë diçka si fillim, pastaj gjithçka bëhet e turbullt, – thotë një tjetër. – Më kujtohet vetëm një djalë me mua në një vend që nuk e njihja. Nuk e di ende se si arrita në shtëpi”.

Llogaria në Instagram është kopjuar edhe në Francë, ku ka pasur një rritje të dhunës në disa qytete, si Montpellier, Grenoble dhe Nancy.

Në Belgjikë, protesta u shtri në Liège dhe Ghent, ku rreth 50 menaxherë të bareve, klubeve dhe kompanive të eventeve, dolën në terren javën e kaluar për t’u bashkuar me “kulturën e rezistencës ndaj përdhunimit”, për t’i kërkuar autoriteteve t’i ndihmojnë ata të garantojnë sigurinë e klientëve të tyre.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë