Politike

Pashka Ortodokse, politika uron nga fushata: Qoftë e bekuar për të gjithë shqiptarët

Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkën, ndërsa nuk kanë munguar urimet nga klasa politike.

Presidenti, Bajram Begaj, ka uruar besimtarët ortodoksë, me mesazhin që kjo festë sjell rigjallërimin e jetës, gëzim e shpresë dhe shënon një nisje te re.

"Gëzuar Pashkën për të gjithë besimtarët ortodoksë! Kjo festë e shenjtë sjell rigjallërimin e jetës, gëzim e shpresë dhe shënon një nisje te re! Qoftë ajo e bekuar për të gjithë shqiptarët!”, uron Begaj në rrjetin e tij social Facebook.

Kryeministri, Edi Rama ka zgjedhur të urojë besimtarët ortodoksë përmes një fotoje nga kisha e Marmiroit në Vlorë. “Mirëmëngjes. Gëzuar Pashkët Ortodokse”, uron kryeministri Rama.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar besimtarët ortodoksë për Festën e Pashkëve.

“Festa e Pashkëve na ngjit në malin e lartë të humanizmit, përkushtimit, dashurisë”, thekson në mesazhin e urimit kryeparlamentarja.

"Ringjallja e Krishtit, një dritë e hareshme që treti errësirën, largoi pikëllimin dhe lajmëroi një fillim të ri. Festa e Pashkëve zgjon ëndrrat, ndihmon besimtarët, na ndihmon të gjithëve, për të kapërcyer vështirësitë, mundur lodhjen, korrigjuar dobësitë njerëzore, larguar pesimizmin, frikën, urrejtjen dhe përqafuar besimin, kurajon, mirësinë njerëzore. Festa e Pashkëve na ngjit në malin e lartë të humanizmit, përkushtimit, dashurisë. Gëzuar Pashkët, shëndet e mbarësi për të gjithë besimtarët ortodoksë", uron Nikolla.

Edhe Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, uroi besimtarët ortodoksë për Pashkën e Madhe.

Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, Meta uron besimtarët për më shumë shëndet e gëzime në familjet e tyre.

Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve. Ata risjellin ne vëmendje ngjarjen e madhe të ngjalljes së Jezusit të Nazaretit, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë