Politike

BE-SHBA, takim në zyrën e Ramës për djegien e mandateve të opozitës

Teksa Lulzim Basha me aleatët e tij e konfirmoi pasdite se do të bëhen bashkë me popullin dhe do të jenë bashkë kundër Edi Ramës deri në largimin e tij dhe konfigurimin e një qeverie tranzitore, dy përfaqësuesit e ndërkombëtarëve, ambasadori i BE-së Luigi Soreca dhe zv/ambasadorja amerikane Leyla Moses-Ones kanë shkuar në Kryeministri.

Dy diplomatët kanë një takim me shefin e qeverisë Edi Rama, ku temë e diskutimit me shumë gjasë ka qenë situata politike e krijuar në vend, pas protestës së 16 shkurtit.

Ndërkohë, në takimin me grupin e tij parlamentar, kryeministri Rama paralajmëroi se deklarimet për lënien e mandatit janë një bllof i Bashës dhe se opozita nuk do të gjejë dot konsensus mes saj për këtë vendim.

“Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashës, pra një çadër në formë bojkoti para zgjedhjeve të qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Basha e di këtë por luan bllofin”, ka deklaruar Rama.

Para socialistëve, Rama ka shprehur bindjen se Basha do të futet në zgjedhje dhe ka kërkuar nga PS që të vazhdojnë përgatitjet për garën e ardhshme zgjedhore, pavarësisht skenarit të opozitës.

“Unë them se ata do të hyjnë në zgjedhje pasi të kenë bërë sikur nuk hyjnë deri në minutën e fundit, por hyjnë apo jo ata në zgjedhje, ne duhet të fitojmë jo thjeshtë votat e shumicës, por besimin e edhe më shumë qytetarëve se herën e kaluar.”, u shpreh kryeministri.

Por vendimi i PD, i LSI dhe aleatëve kanë zhgënjyer pritshmëritë e kryeministrit, ku kanë dalë me një vendim të përbashkët duke pranuar propozimin e kreut të PD-së për djegien e mandateve parlamentare. Ndërsa Basha konfirmoi qëndrimin.

“Sot ka ndodhur një akt i paprecedentë në historinë e pluralizmit, të tjerat janë budallallëqe për të devijuar të vërtetat, Rama nuk është më kryeministër i Shqipërisë. Është kapur nga prokuroria dhe Zëri i Amerikës duke vjedhur zgjedhjet e 2017. Prandaj u bë dhe protesta. Ne sot jemi keq e më keq, është kolapsi i arsimit, ekonomia, kriza sociale, emigracioni që po zbraz Shqipërinë, – tha kreu i PD-së. – Rama dhe qeveria e tij janë produkt i bashkëpunimit të krimit e oligarkëve. Asnjë nuk e shpjegon sesi zhvendoset lumi i Lanës për të mbrojtur pronën e një trafikanti droge. Ky është një moment bashkimi, ndërgjegjësimi, do ketë një të ardhme për shqiptarët dhe kjo s’do të jetë e ardhmja e krimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë