Lajme

BE-SHBA, apel për protesta paqësore: Vetëpërmbajtje, jo dhunë!

Me anë të një deklarate, delegacioni i BE dhe ambasada e SHBA-së në vendin tonë, apelojnë që protesta e sotme e opozitës të jetë paqësore, dhe të shmangen aktet e dhunës, duke i kërkuar njëkohësisht liderëve të opozitës së bashkuar që të pranojnë ofertën e kryeministrit për dialog.

Në deklaratën e shpërndarë nga zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë, thuhet se dënohet çdo akt dhune.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri respektojnë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Megjithatë, ne përsërisim rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë paqësore.

Ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, u bëhet thirrje palëve politike që të marrin në konsideratë ofertën për dialog në mënyrë që të kapërcejnë këtë moment krize.

“Për të mirën e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve dëshiron të shohë që vendi të bëjë përpara me procesin e reformave dhe të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente”, vijon më tej deklarata, duke nënkuptuar ofertën siç e cilësojnë ata, e bërë në katër letra të njëpasnjëshme nga Rama në drejtim të opozitës.

Një apel shkon edhe për autoritetet e zbatimit të ligjit, ku u kërkohet vetëpërmbajtje edhe në rast se do të provokohen.

“Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen”, thuhet në deklaratë.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila kërkon respektimin e të drejtës demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, por edhe shmangien e dhunës nga të dyja palët.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë pjesmarrësve në protestën e sotme – si qytetarëve ashtu edhe forcave ligjzbatuese – që të përmbahen duke qëndruar larg dhunës. Nxitja e përplasjeve fizike apo hedhja e mjeteve plasëse, bombave molotov dhe gurëve, është jodemokratike dhe e paligjshme. Ata që përfshihen në akte dhune kryejnë një krim dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje, të refuzojnë dhunën dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv”, - përfundon deklarata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë