Analize

BE “premton” heqjen e vizave për Kosovën në këmbim të kryesimit të dialogut me Serbinë

Vetëm dy ditë pasi "negociatat e paqes" Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë u shtynë, për shkak të akt-akuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi, Bashkimi Europian ka nisur një ofensivë diplomatike për udhëheheqjen e këtij dialogu. Por ndryshe nga vitet e kaluara, BE ka vendosur të joshë Kosovën me liberalizimin e vizave, në këmbim të uljes në krye të tryezës së bisedimeve, duke nxjerrë jashtë loje SHBA-në.

Duke folur pas vizitës nga Brukseli, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se Bashkimi Europian do të caktonte shumë shpejt një datë të re për dialogun Kosovë-Serbi, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë pritet po ashtu të mbledhë të dyja palët së shpejti. Ai u shpreh tejet optimist për liberalizmin e vizave duke thënë se Unioni ishte pranë heqjes së tyre për Kosovën.

Po ashtu, Brukseli zyrtar po planifikon mbajten e një samtiti në Paris, vetëm për rinisjen e dialogut mes dy palëve.

“Pavarësisht ndryshimeve në agjendën e ditëve të fundit, ne mbesim të përkushtuar për rifillimin e dilogur. Është me interes që ky proces të mbyllet sa më shpejtë. Ne kemi shtyrë vizitën në Washingron, unë kam pasur komunikim me të dërguarin special. Jemi dakorduar për një datë që do të caktohet së shpejti. Agjenda mbetet e njëjtë”, deklaroi Hoti. “Në Bruksel janë duke u bërë gati për samitin e Parisit, i cili kryesohet nga dy shtete kryesore të BE-së. Në ditët e ardhshme brenda qeverisë do të punojmë shumë për dialogun që të prezantojmë qëndrimin tonë për secilën prej temave”, tha Hoti.

Ndërkohë Franca dhe Gjermania janë shprehur, se presin që dialogu Kosovë-Serbi të fillojë së shpejti.

“Së bashku me kancelaren Merkel, Presidenti Macron mbetet i gatshëm të presë një samit në Paris”, ka shkruar të premten ambasada e Francës në Kosovë në ‘Twitter’.

Hoti është treguar mjaft optimist edhe për liberalizimin e vizave, edhe pse ka theksuar se nuk ka ende një datë zyrtare për heqjen e tyre.

“Ka një mirëkuptim nga ana e Komisionit dhe Parlamentit Europian që ne i kemi plotësuar kushtet, edhe pse ka disa tri vende që janë skeptike në këtë proces me të cilat do të punojmë veç e veç. Por në përgjithësi atmosfera është tejet optimiste”, tha Hoti.

Për herë të parë që nga marrja e postit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen takoi veçmas politikanë të lartë nga Kosova dhe Serbia në Bruksel. Ajo ka shprehur nevojën e rifillimit sa më të shpejtë të dialogut mes këtyre dy shteteve.

Që nga marrja e postit si presidente e Komisionit të BE, kjo ishte hera e parë që Ursula von der Leyen ka takuar krerë të lartë të politikës nga Kosova e Serbia. Kanë qenë “diskutime të mira”, është shprehur Von der Leyen pas takimeve të veçanta që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti si edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçic në selinë e Komisionit Europian në Bruksel.

Kancelarja Merkel ka marrë një kërkesë të nënshkruar nga deputetët e Parlamentiti Evropian, në të cilën kërkohet futja e liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit të Europës.

Gjermania pritet të marrë udhëheqjen e Këshillit Europian nga 1 korriku i këtij viti, hap i cili sipas ekspertëve jep shpresë për lëvizjen e lirë të shqiptarëve të Kosovës.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Demush Shasha thotë se Kosovës mund t'i kërkohet edhe ndonjë kriter tjetër për t'u plotësuar, mirëpo sipas tij me Gjermaninë në udhëheqje të Këshillit Europian ka shpresë që Kosova të arrijë liberalizimin e vizave.

Në anën tjetër edhe deputetët e Parlamentit Europian kanë thënë se Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara dhe që pjesa tjetër e punes i mbetet BE-së.

“Ne po humbim kredibilitetin tonë kur një shtet i tretë bën atë që ne kërkojmë, por nuk marrin avantazhet që u kemi premtuar. Si mund të kërkojmë çfarëdo reforme tjetër nga një shtet, kur ai nuk është i sigurte se do të përfitojnë. Integrimi Evropian nuk është domosdo opsioni i vetëm i shteteve në rajon. Ku do t'i çojë rruga e tyre nëse jo në BE?”, kanë shkruar deputetët.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë