Nga Gazeta ‘Si’- Bashkimi Europian ka paralajmëruar Shqipërinë që të shmangë veprime që mund të ndikojnë negativisht në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, në një kohë kur protestat kombëtare kundër një projekti të lidhur me Jared Kushner po vazhdojnë prej disa ditësh.
Qytetarët shqiptarë po kërkojnë anulimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, duke argumentuar se projekti rrezikon një ekosistem të ndjeshëm ku jetojnë flamingo, foka dhe vendosin vezë breshkat detare.
Komisioni Europian ka paralajmëruar se ky zhvillim mund ta vendosë Shqipërinë në konflikt me rregullat mjedisore të BE-së, duke rrezikuar mbylljen e Kapitullit 27 të negociatave për mjedisin dhe klimën.
Një zëdhënës i Komisionit Europian i tha POLITICO-s se Shqipëria duhet të përmbahet nga veprime që mund të dëmtojnë përmbushjen e standardeve të mbylljes së negociatave dhe se autoritetet duhet të veprojnë pa vonesë.
BE thekson se Shqipëria, në kuadër të procesit të integrimit, duhet të përafrojë plotësisht legjislacionin e saj me direktivat europiane për zogjtë dhe habitatet, duke kërkuar gjithashtu shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ligjin për investimet strategjike.

Ndërkohë, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka informuar Komisionin se punimet në projekt janë pezulluar dhe se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis në bashkëpunim me shoqërinë civile.
Protestat, të quajtura tashmë “Revolucioni i Flamingove”, janë përshkallëzuar gjatë fundjavës, ndërsa kërkohet gjithnjë e më shumë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Edhe SPAK ka hapur një hetim për ndryshimet e dyshuara në statusin e zonës së mbrojtur dhe pronësinë e tokës në vitin 2024.
Sipas Komisionit Europian, projekti është gjithashtu nën hetim dhe dyshohet se çështjet shkojnë përtej mjedisit.
Kryeministri Rama, nga ana tjetër, ka deklaruar se nuk sheh shumë interes nga liderët e BE-së për trazirat politike në Shqipëri dhe ka theksuar se “po të mos ishte Jared Kushner, nuk do t’u interesonte aspak”.
Shqipëria, e konsideruar si një nga vendet kryesuese në procesin e zgjerimit të BE-së, synon anëtarësimin deri në vitin 2030, ndërsa negociatat teknike pritet të përfundojnë në vitin 2027.
BE thekson se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura kanë hapur rrugën për zhvillime në zona të ndjeshme, përfshirë Vjosë-Nartën, ku projekti nuk ka ende një vlerësim të plotë mjedisor.
Brukseli prej kohësh i ka kërkuar Tiranës shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, duke argumentuar se ai rrezikon të anashkalojë standardet mjedisore të BE-së./ Politico
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje