Analize

BE nuk do të zgjerohet më? – Plani i ri që shtyn pa fund integrimin e Ballkanit

Arsyetimi zyrtar i presidentit francez Emmaneul Macron për bllokimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedonisë së Veriut në BE ka qenë se Bashkimi Europian duhet së pari të vetë-reformohet dhe të ndryshojë metodologjinë e zgjerimit të unionit. Pa kaluar ende dy javë, Franca ka nisur punën për të dytën, duke i propozuar Gjermanisë ndryshimin total të të gjitha rregullave të negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në maj të vitit të ardhshëm, kur vendet anëtare priten të hapin sërish dosjen e negociatave, Bashkimi Europian do të prezantojë disa modele të reja partneriteti, të cilat shmangin dhe shtyjnë edhe për një dekadë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në union.

Gazeta serbe “Novosti” raporton se në samitin e Zagrebit do të ngrihen propozime që do të përqendrohen te partneriteti i privilegjuar në vend të zgjerimit të mëtejshëm të unionit. Macron duket se ka bindur edhe Merkel për këto ndryshime, pasi gazeta serbe thekson se metodologjia e re e bisedimeve me vendet e Ballkanit po diskutohet midis dy vendeve më me ndikim brenda BE-së, Franca dhe Gjermania.

Ajo e vë theksin kryesor tek ndihma financiare e vendve të Ballkanit.

"Një nga propozimet kryesore është integrimi sektorial, që do të thotë se pas mbylljes së një kapitulli, vendi përkatës do futet në sistemin e BE-së në fushën përkatëse në vend se të presë anëtarësim të plotë. Nësë mbyllet si për shembull kapitulli i transportit, vendi përkatës përfiton fondet pikërisht në këtë sektor", shkruan “Novosti”

Angela Merkel, Emmnauel Macron dhe Mark Rutte, Gazeta Si, 30 tetor 2019

Modeli tjetër është modeli norvegjez. Ai parashikon që në vend të anëtarësimit do të ofrohet anëtarësimi në dy institucione kyçe; Bashkimi Europian për Tregtinë e Lirë dhe Zonën Ekonomike Europiane, ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia dhe Zvicra, që nuk janë anëtarë të BE-së. Diplomatët e Brukselit argumentojnë se Franca insiston që rregullat e reja të pranimit të ndryshohen jo vetëm për vendet që duhet të fillojnë negociatat, përkatësisht Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovinën, por edhe për Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat kanë ecur përpara në proces.

Në fakt shumë ekspertë bien dakoert se zgjerimi në vetvete ka nevojë për një reformë të plotë, por a është zgjidhje strategjia që vendet e Ballkanit mos të bëhen kurrë anëtare të plota të BE-së?

I frikësuar nga kjo perspektivë, presidenti maqedonas Stevo Pendarovski ftoi të gjitha vendet e rajonit në një samit, për të kundërshtuar nisma të tilla dhe për t’i bindur të mos heqin dorë nga anëtarësimi në BE. Aktualisht, procesi i zgjerimit ka një strukturë vertikale: vendet ngjiten nga marrëveshjet e asociimit, tek statusi kandidatit dhe më pas tek nisja e bisedimeve të pranimit, deri sa të arrijnë nivelin e fundit: anëtarësimin.
Ajo që po propozojnë tanimë Franca dhe Gjermania është një qasje tjetër, ajo "horizontale", e cila do të niste me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor sipas sektorit.

Për shembull të gjitha vendet tashmë kanë bërë përparim në fushën e lidhjeve të energjisë dhe transportit. Me disa përpjekje dhe imagjinatë, strategjia mund të shtrihet në shumë fusha të tjera. Miratimi dhe zbatimi i reformave për një sektor të veçantë do të mbështetet nga ndihma financiare, ku BE-ja do të mbante statusin e vëzhguesit ose bashkëpunëtorit. Dhe në fund të kapitullit vendet e rajonit do të bëheshin pjesë vetëm e komiteteve dhe strukturave të energjisë të unionit europan.

Kjo qasje do të ndihmonte në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe nxitjen e partneritetit real midis BE dhe vendeve të zgjerimit. Por ndërkohë që Shqipëria do të kalonte reformat e integrimit hap pas hapi, linja ndarëse midis anëtarësimit dhe mos anëtarësimit, do të bëhet e paqartë. Fakti që pranimi do të ishte akoma vite larg mund të shkatërrojë shpresat e vendve të Ballkanin Perëndimor deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për anëtarësimin e plotë ose jo.

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Federica Mohgerini. Gazeta Si, 30 tetor 2019

Franca dhe Gjermania duket se kanë vendosur të ecin përpara me këtë propozim, pasi ai ofron një kundërargument për vendet skeptike, siç është Hollanda, të cilat argumentojnë se "treni" i zgjerimit të BE-së është përtej kontrollit të tyre pasi të fillojnë zyrtarisht negociatat e pranimit.

Për Grupin Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Europë (BiEPAG), reformimi i metodologjisë së zgjerimit është i domosdoshëm duke parë se vende si Rumania dhe Bullgaria, nuk kanë arritur ende të bëhen pjesë “de fakto” e unionin dhe për të cliruar rajonin nga kapja e shtetit.

“BE-ja duhet të ndryshojë metodologjinë e zgjerimit në mënyrë që do të ndihmojë vendet e rajonit në adresimin e prapambetjes demokratike dhe problemet e sundimit të ligjit. Një integrim i tillë i pjesshsëm do të ndihmonte në trajtimin e kapjes së shtetit që komisioni i ka identifikuar si një problem endemik në rajon”,thotë ky grup në një analizë.
Ish-drejtori i Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel është ndër zyrtarët që mbështet këtë ide.

Por edhe një sërë idesh të tjera për reformimin e zgjerimit janë bërë gjithashtu pjesë e debatit aktual. Për shembull, Gerald Knaus, zyrtar i Iniciativës Europiane të Stabilitetit kohët e fundit sugjeroi krijimin e një Zone Ekonomike të Evropës Jug-Lindore (SEEEA), qe do të hapte tregun ebrendshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ofruar ndihmë ekonomike por duke shtyrë çështjen e anëtarësimit aktual. Në mënyrë të ngjashme. Këto ide synojnë të rivendosin mbështetjen për zgjerimin në BE, veçanërisht në Francë, duke i mbajtur të angazhuara vendet e Ballkanit Perëndimor.

Qasja e integrimti të pjeshsmë ka më shumë të ngjarë të fitojë mbështetjen e rajoir thjesht sepse ofron përfitime konkrete .Por, cilado qoftë qasja që BE zgjedh në fund të fundit, një gjë është e qartë: në fund cdo rrugë duhet të përfundojë më anëtarësimin e plotë të vendeve të rajonin. Nëse, këto nisma janë të destinuara të dështojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë