Treg

BE josh Prishtinën që të ulë tarifat ndaj Serbisë

Bashkimi Europian po përpiqet që të joshë Kosovën që të tërhiqet nga tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake. Përmes një letre me nënshkrim të trefishtë, Brukseli i ofron Prishtinës zëvendësimin e emrit nga “UNMIK” në “Kosova” në listën e vendeve të marrëveshjes CEFTA.

Letra është dërguar nga Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, Komisionerja e Tregtisë, Cecilia Malmstrom dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn. Ajo i drejtohet Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Si shenjë e vullnetit të mirë, zyrtarët e BE-së kërkojnë që para ditës së hënë, qeveria e Kosovës të pezullojë përkohësisht zbatimin e kësaj mase, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme, që BE shprehet e gatshme ta ndërmjetësojë mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zyrtarët e BE-së u përgjigjen edhe shqetësimeve të ngritura më herët nga Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili po përmes një letre argumentonte se vendosjen e tarifës dhe listonte të gjitha pengesat dhe trajtimin e pabarabartë që hasnin produktet kosovare që eksportoheshin në drejtim të Serbisë e Bosnjes.

Megjithatë, BE thotë se tarifat janë një vendim në rrugën e gabuar.

“Vendosja e tarifave të reja në një afat të mesëm do të dëmtojnë interesat ekonomike të Kosovës dhe njerëzve të saj, duke zvogëluar shkëmbimin tregtar dhe dëmtuar atraktivitetin e Kosovës si vend për investime dhe biznes. Ne duam të ritheksojmë se qëndrimi unik i BE-së është se ky vendim duhet të tërhiqet në rastin më të hershëm të mundshëm”, thuhet në letër.

Afati i vendosur për pezullimin e tarifës, pra e hëna e 17 dhjetorit lidhet me takimin e Kosovës me BE-në në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë