Bota

BE fut dy komandantë të Hamasit në listën e terroristëve

Gazeta Si - Vendet e Bashkimit Europian kanë përfshirë në listën e terroristëve dy komandantë të Hamasit, pas sulmeve të grupit militant në Izrael më 7 tetor. Hamasi, grupi palestinez që kontrollon Rripin e Gazës, është shpallur organizatë terroriste prej ShBA-ve dhe Bashkimit Europian.

Dy individët e futur në listën e terroristëve janë Mohammed Deif, komandant i përgjithshëm i krahut ushtarak të Hamasit, dhe zëvendësi i tij Marwan Issa, - ka bërë me dije të premten BE-ja.

Duke nisur prej të premtes, dy komandantëve iu bllokohen të gjitha fondet dhe asetet tjera financiare në vendet e BE-së, derisa operatorët e bllokut europian nuk mund të ofrojnë fonde dhe burime ekonomike për ta.

Militantët e Hamasit e kanë nxitur luftën me Izraelin, pas sulmit që kanë kryer në territorin e tij më 7 tetor, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë. Për pasojë, Izraeli ka nisur ofensivën tokësore dhe ajrore në Gazën me 2.3 milionë banorë.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 17.000 njerëz kanë vdekur si pasojë e sulmeve izraelite. Ushtria izraelite, në anën tjetër ia vë fajin Hamasit për vrasjet, duke e akuzuar se po operon në zonat e dendura me civilë./REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë