Njerez

BBC: Të burgosurit shqiptarë në Britani po paguhen 1500 paund nga qeveria për t’u kthyer në shtëpi pa mbaruar dënimin

BBC ka folur me disa nga personat që janë kthyer në Shqipëri pas kalimit të tyre në mënyrë të paligjshme në Britani dhe ka zbuluar se një pjesë e tyre që janë dënuar në Britani për krime janë paguar 1500 paund për t’u larguar por disa prej tyre po planifikojnë të shkojnë përsëri në Britani.

“Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se shumica e shtetasve të kthyer me forcë në Shqipëri nga Britania e Madhe këtë vit janë dënuar për krime këtu”, shkruan BBC, duke e nisur rrëfimin që në pjesën e pasme të aeroportit të Tiranës.

Çdo javë, një turmë e vogël mblidhet në pjesën e pasme të aeroportit të Tiranës në Shqipëri.

Pista e ngushtë, midis mureve të larta gri të njësisë së policisë kufitare, është vendi ku zbarkojnë fluturimet e dëbimit në Mbretërinë e Bashkuar, të vëzhguara nga afër nga familjet që presin të afërmit e tyre.

Duhen orë të tëra që të dëbuarit të shfaqen, duke shkuar ngadalë afër portës për t'u pritur me përqafime, buzëqeshje dhe lot.

Fluturimet e deportimit në Shqipëri janë shtuar që kur vendi nënshkroi një marrëveshje të përbashkët bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar dhjetorin e kaluar, për të “frenuar dhe penguar emigrimin e paligjshëm”.

Zyra e Brendshme e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar thotë se më shumë se 1000 njerëz janë kthyer që atëherë, rreth gjysma e tyre vullnetarisht, pjesa tjetër azilkërkues që u është refuzuar kërkesa për të qëndruar.

BBC foli me dhjetëra njerëz në disa prej këtyre fluturimeve të dëbimit muajin e kaluar dhe zbuloi se shumica vinin nga burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.

Mark i kërkoi BBC-së të mos e identifikonte

Disave u ishin ofruar para në këmbim të pranimit për dëbim dhe u liruan nga burgu përpara se të vuanin dënimin e tyre minimal, sipas një skeme ekzistuese të përdorur për shkelësit e huaj.

Policia shqiptare konfirmoi se shumica e atyre që u kthyen me forcë këtë vit u dënuan për krime në Britani.

Një burrë 30-vjeçar tha për BBC se ai kishte vuajtur një dënim gjashtë-vjeçar për vepra penale që lidheshin me drogën dhe u lirua për dëbim pasi kreu vetëm dy prej tyre. Ai i kërkoi BBC të mos tregonte identitetin e tij kështu që u quajt Mark.

“Oficeri i emigracionit erdhi të na takojë”, tha ai. “Ata ju pyesin nëse doni të ktheheni në Shqipëri apo të qëndroni në Britani. Ata na shpjeguan se nëse kthehemi, na heqin një vit nga dënimi”.

Markut iu ofruan gjithashtu 1500 paund në mbështetje financiare për t'u kthyer në shtëpi, sipas një programi të veçantë të quajtur Skema e Kthimit të Lehtësuar (FRS).

Një dokument i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar thotë qartë se skema është "një stimul financiar" që u ofrohet të burgosurve të huaj “me kusht që ata të bashkëpunojnë me dëbimin dhe të heqin dorë nga e drejta e tyre për të apeluar kundër tij”.

Të burgosurve të tjerë me të cilët foli BBC në fluturimet e dëbimit muajin e kaluar u ishte dhënë e njëjta shumë.

Marku u deportua sipas Skemës së Lirimit të Parakohshëm të Mbretërisë së Bashkuar (ERS), e përdorur për të burgosurit e huaj të të gjitha kombësive.

ERS nuk kërkon pëlqimin e të burgosurve, por disa të dëbuar shqiptarë me të cilët folën gazetarët, përfshirë Markun, thanë se dëbimi dhe ulja e dënimit të tyre u paraqitën si zgjedhje.

“Ishte zgjedhja ime të kthehesha”, thotë Marku. “Askush nuk më detyroi. Ata ma ofruan duke më thënë: Ti vendos nëse do të shkosh apo do të qëndrosh”.

BBC i kërkoi Zyrës së Brendshme të konfirmonte se sa shqiptarë ishin dëbuar nën ERS që nga fillimi i vitit të kaluar dhe sa kishin marrë stimuj financiarë për të bashkëpunuar, por iu tha se nuk i publikojnë këto statistika.

“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo shqiptare po punojnë së bashku për të shfrytëzuar çdo mundësi për të kapur trafikantët e njerëzve dhe për të përshpejtuar largimin e shqiptarëve pa të drejtë ligjore për të qenë në Britani”, tha një zëdhënës i Zyrës së Brendshme.

Mark është i bindur se nuk do të kthehet më në Britani por ka të tjerë që kanë planifikuar kthimin akoma pa ardhur në Shqipëri.

Disa nga personat që po dëboheshin thanë për BBC se po planifikonin të ktheheshin në Britani brenda javësh apo edhe ditësh, pavarësisht se sipas tyre, policia britanike po tregohet shumë e ashpër me shqiptarët atje.

“Ata po mbledhin shqiptarët tani. Është shumë e vështirë për shqiptarët të qëndrojnë në Britani, sepse policia ju ndalon në rrugë. Nuk na duan tani”, tha një nga personat që po dëbohej.

Ai tha se ishte kthyer në Shqipëri pasi policia ndaloi makinën në të cilën ndodhej dhe zbuloi se ishte pa dokumente.

Një burrë tjetër tha se ai kishte shkuar tashmë tri herë në Britani.

“Nuk është problem për mua. Do të kthehem kur të dua.”

Për shumë nga ata me të cilët BBC foli, ishin mundësitë ekonomike që i dërguan në Britani.

Megjithatë, jo për Azemin, një djalë në të njëzetat, i cili dukej i humbur brenda rrobave.

Azemi, jo emri i tij i vërtetë, tregoi historinë e tij në kushte anonimiteti. Ai gjithashtu këmbënguli që të takoheshin diku larg, ku ai nuk do të dëgjohej.

Në një linjë hekurudhore jashtë Tiranës, Azemi fliste me duart që i dridheshin.

Azem, jo emri i tij i vërtetë, flet me Lucy Williamson të BBC-së në një hekurudhë të shkatërruar.

Ai tregoi dokumentat që përshkruanin largimin e tij nga Britania dhe refuzimin e kërkesës së tij për azil. Ai u tha zyrtarëve të emigracionit se ishte arratisur nga Shqipëria pasi anëtarët e një bande i vendosën një armë në kokë dhe e kërcënuan se do ta vrisnin për aktivitetet e tij politike.

Ai u kthye në Shqipëri kundër dëshirës së tij muajin e kaluar.

“Kam frikë sepse e njëjta situatë mund të përsëritet. Kam qëndruar në heshtje, nuk buzëqesh, jam i stresuar dhe trupi më dridhet gjatë gjithë kohës, nuk fle shumë”, tha Azemi për BBC.

Raporti i një psikologu në Britani, i paraqitur pak para deportimit të Azemit, ngriti shqetësimet se ai mund të ketë përjetuar tortura psikologjike në Shqipëri.

Një përgjigje e Home Office tha se përvojat e tij tashmë ishin marrë në konsideratë në kërkesën e tij për azil dhe se vendimi ishte i pandryshueshëm.

Azemi tha se nuk do të hezitonte të kthehej ilegalisht në Britani nëse kërcënohej përsëri, pavarësisht se ishte në listën e zezë për të hyrë atje dhe në vendet e BE-së.

“Policia shqiptare ka shtuar së fundmi kontrollet në pikat kufitare të vendit, për të kapur të dëbuarit në listën e zezë që tentojnë të kalojnë. Rritja e bashkëpunimit midis Britanisë dhe Shqipërisë ka përkuar me një rënie të numrit të shqiptarëve që mbërrijnë me varka të vogla; vetëm 29 u zbuluan në muajt e parë të këtij viti”, shkruan BBC.

Pjesa më e madhe e kësaj rënie ka të ngjarë të jetë sezonale dhe me lehtësimin e motit të dimrit, të dyja qeveritë po përballen me provën e parë reale të qasjes së tyre për të trajtuar Emigracionin e parregullt.

BBC ka pyetur edhe ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi, se çfarë po bënte vendi për të parandaluar që të dëbuarit e fundit të ktheheshin lehtësisht në Britani.

“Nuk është e mundur t'i vendosësh të gjithëve një çip për ti ndjekur se ku shkojnë. Nëse ka persona me precedentë penalë, veçanërisht trafikantë, atëherë policia do të jetë në gatishmëri. Por në përgjithësi, personat që kthehen janë qytetarë të pa dënuar në Shqipëri”, tha Çuçi.

Por krahas punës për emigracionin e paligjshëm, tha ai, të dy qeveritë duhet të punojnë në rrugë legale që qytetarët shqiptarë të arrinin në Britani.

“I kam sugjeruar koleges sime, sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar Suella Braverman, që të krijojmë gjithashtu legalizimin e menjëhershëm të të gjithë shqiptarëve që punojnë në Britani në një punë të ndershme dhe që nuk kanë precedentë penalë”, shtoi Çuçi.

Në qytetin e vogël verior shqiptar të Krumës, 60% e popullsisë tashmë ka ikur. Qytetari i parë që gazetarja e BBC takoi në rrugë flet anglisht pa problem, me një theks londinez.

Edhe ata që kanë mbetur në Krume, shkojnë të pijnë kafen e mëngjesit në lokalin e quajtur “Britania”, që në pamje të parë duket sikur është në Londër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë