Ekonomi

“Shmangni pushime të panevojshme nga puna, të mbështeten të pamundurit”

Pagat e luftës të kushtueshme, nuk sugjerohet të zgjasin

Banka Botërore sugjeron që në kushtet e krizës së shkaktuar nga pandemia kompanitë të mos pushojnë punonjës nga puna në periudhë afatshkurtër .

Gjithashtu, Banka sugjeron që të ketë ndihmë shtesë për pensionistët dhe kategoritë vulnerabël.

“Në periudhën afatshkurtër, duhen shmangur pushimet e panevojshme nga puna, që shkaktohen nga efektet e pandemisë në ekonomi. Firmat janë prekur nga prishja e zinxhirëve të furnizimit, kufizimet e veprimtarisë (mbyllje ose orar i kufizuar) dhe ulja e kërkesës, ndaj, si punonjësit me pagesë, ashtu edhe të vetëpunësuarit, mund të humbasin punën ose aktivitetin e tyre. Duke pasur parasysh natyrën kalimtare të goditjes nga COVID-19, mbajtja e punonjësve në punë do t’ua bëjë më të lehtë firmave të rimëkëmben nga kriza ekonomike pasuese, siç dëshmoi edhe kriza e mëparshme e vitit 2008.”- thotë Banka Botërore.

Megjithatë, për të  pushimet nga puna do të jenë të pashmangshme, sidomos në sektorët e rëndësishëm që janë prekur nga kjo goditje, si turizmi, tregtia ose transporti.

Përpos largimeve nga puna, Banka sugjeron që ekziston mundësia që të bëhet një korrigjim i pritshëm i pagave duke i shkurtuar dhe ulje e orëve të punës. Për rrjedhojë, është e nevojshme që të ofrohet mbështetje emergjente për familjet, për të përkrahur si familjet formale, ashtu edhe ato joformale të prekura nga goditja, përmes masave të zgjeruara të ndihmës sociale dhe sigurimeve shoqërore. Këto masa mund të ndryshojnë nga ato të mbështetjes përpara krizës, duke pasur parasysh numrin masiv të njerëzve të prekur dhe nevojën për të regjistruar e mbështetur me shpejtësi familjet.

Banka mendon se karakteristikat specifike të tregut të punës në Ballkanin Perëndimor mund të kenë po ashtu pasoja veçanërisht të forta për disa familje. Për shembull, ndalimi i udhëtimeve ndërkombëtare mund të prekë migrantët sezonalë dhe të përkohshëm, që po gjenin mundësi punësimi në vendet që tashmë kanë mbyllur kufijtë. Edhe dërgesat në para, një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë familje në Ballkanin Perëndimor, mund të pësojnë rënie. Derisa ekonomia të jetë rimëkëmbur, do të duhet sipas BB-së, që familjet që kanë rënë në varfëri ose thuajse në varfëri, si dhe të papunët, të mbështeten përmes fondeve të zgjeruara të kursimit/ rrjetet e mbrojtjes sociale dhe sigurimeve shoqërore dhe të marrin ndihmë për gjetjen e punëve të reja përmes masave të nxitjes së punësimit. Pavarësisht kësaj, efektet fiskale do të jenë të konsiderueshme, thotë Banka dhe qeverive do t’u duhet të gjejnë ekuilibrin midis masave që mbështetin rritjen dhe investimet dhe përkrahjes së familjeve në kuadrin e një sjelljeje fiskale të qëndrueshme.

Banka sugjeron se në të gjitha fazat, mbështetja duhet t’u përshtatet profileve të njerëzve. Mbështetja që mund t’u ofrohet, për shembull, punonjësve në sektorin formal mund të jetë ndryshe nga mbështetja që mund t’u jepet punonjësve informalë ose atyre thuajse të varfër.

Pensionet

Të moshuarit, të cilët janë kategortia më e rrezikuar nga ana shëndetësore, për Bankën duhet të ndihmohen edhe nga ana ekonomike, nëse mbështeten te pagesa e pensionit.

Një pagesë shtesë apo pagesë e njëhershme mund të merret në konsideratë për të kompensuar kostot shtesë, sidomos për përfituesit e pensioneve me vlerë të vogël. Duke pasur parasysh kompromiset masive në shpenzime me të cilat po përballen shumë vende, do të jetë me rëndësi që të vlerësohet nevoja për rritjen e pensioneve kundrejt nevojave të tjera për ndihmë sociale dhe sigurime shoqërore dhe të sigurohet zhvillimi i fushatave të përshtatshme të komunikimit për të shpjeguar se çdo rritje pensioni që lidhet me situatën e Covid-it do të ketë afat të kufizuar.

Një sërë vendesh të Ballkanit Perëndimor kanë njoftuar marrjen e masave për pensionistët. Në Serbi, për shembull, të gjithë pensionistët marrin mbështetje me një vlerë të vetme prej 4 000 dinarësh (rreth €35). Në Kosovë, të gjitha kërkesat për verifikim janë pezulluar dhe pensionistët që paguhen më pak se 100 euro marrin një shtesë të përkohshme prej 30 eurosh.

Po sektori informal?

Duke e konsideruar si sfidë të madhe mbështetjen e sektorit informal nën kohë krize, Banka Botërore sugjeron se që ata të mbështeten, si nga pikëpamja e barazisë (të varfrit punojnë masivisht në sektorin informal), edhe nga pikëpamja e rimëkëmbjes ekonomike (firmat informale, edhe pse nuk paguajnë tatime, kontribuojnë në rritjen ekonomike, janë pjesë e zinxhirëve të vlerave dhe sigurojnë punësim për personat që, përndryshe, do të kishin nevojë për mbështetje nga shteti).

Një kanal i dytë i sugjeruar është mbështetja për firmat informale. Edhe pse shumë prej tyre nuk janë të regjistruara zyrtarisht, shumë firma informale kanë kontakte të kufizuara me sektorin formal përmes furnitorëve të këtij të fundit dhe institucioneve të mikrokredisë, për shembull. Kësisoj, edhe pse do të ishte e paplotë, mund të përpilohet një listë e firmave të sektorit informal të cilave mund t’u ofrohet një formë mbështetjeje.

Alternativat afatmesme: ekuilibrimi i mbështetjes për familjet me masat e mëkëmbjes

Banka Botërore rekomandon që të mos përdoret e gjithë artileria e rëndë fiskale njëherësh, por, thotë ajo, është me rëndësi që të ruhet një lloj hapësire fiskale për të mbështetur rimëkëmbjen e gjatë ekonomike.

Për mbrojtjen sociale, i duhet dhënë përparësi aftësisë për të financuar një fond të zgjeruar kursimi për varfërinë, që është bastioni i fundit që parandalon familjet e varfra të bien në varfëri të skajshme. Konceptimi dhe legjislacioni i programit të sigurimeve shoqërore mund të ndryshohet gjithashtu për të ruajtur aftësinë e financimit të rritjeve të konsiderueshme të aplikimeve të papunësisë në periudhën afatmesme.

 Paralelisht, me heqjen e kufizimeve të punësimit, programet e punësimit që synojnë të mbështetin rikthimin në tregun e punës duhen përmirësuar e zgjeruar po ashtu.

Të Intensifikohen politikat e nxitjes së punësimit për rikthimin në tregun e punës

Prashikohet që kriza nuk do të shkaktojë vetëm lëvizje masive në punë dhe jashtë saj, por duke i prekur në mënyrë të ndryshme sektorët, do të çojë edhe në rishpërndarjen e punëve dhe aktiviteteve ekonomike midis sektorëve. Vendet e punës që njerëzit humbën nuk do të jenë domosdoshmërisht të njëjtat që do t’u vihen në dispozicion dhe do të jetë e nevojshme të intensifikohen programet aktive të tregut të punës (PATP) për të ritrajnuar shumë punëkërkues e për t’i ndihmuar të gjejnë punë në sektorët e rinj.

“Faza e rimëkëmbjes afatmesme paraqet një mundësi për forcimin e sistemit të mbrojtjeve sociale, për t’I bërë më të qëndrueshëm e për të rritur aftësinë e tyre reaguese ndaj krizave të ardhshme me kosto efektive. Një nga shembujt janë subvencionet e pagave. Në shumë vende të BE-së, shteti paguan vetëm për numrin aktual të punonjësve që nuk punojnë ose për shkurtimin e orëve të punës dhe ka ligje në fuqi që i lejojnë firmat dhe shtetin të ulin përkohësisht rrogat/pagesat e punonjësve që janë pushuar përkohësisht nga puna. Këto ligje dhe aftësia monitoruese, për të cilën duhet që bazat e të dhënave të sigurimeve shoqërore dhe listëpagesave të jenë të mirintegruara dhe të përditësuara, mungojnë në shumë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ende do të duhet të mbështeten në subvencione të përgjithshme pagash shumë më të kushtueshme dhe më pak efektive”- thotë Banka.

Një argument i ngjashëm mund të vlejë edhe për regjistrat socialë dhe procedurat e kompjuterizuara të regjistrimit/verifikimit. Regjistrat socialë, thotë Banka, bëjnë bashkë informacionet e bazave të të dhënave nga disa ministri, për të mbajtur një informacion të përditësuar jo vetëm rreth përfituesve të programeve të ndihmës sociale, por edhe rreth popullsisë së përgjithshme. Regjistrat socialë të përpiluar si duhet mund të ndihmojnë, për rrjedhojë, me identifikimin e grupeve të popullsisë që janë prekur posaçërisht nga krizat dhe të përshpejtojnë procedurat e regjistrimit dhe verifikimit të tyre.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji

Më Shumë