Ekonomi

BB: Shqipëria problematike me rritjen e punësimit informal

Punësimi informal është një nga sfidat më të mëdha të trgeut të punës në Ballkanit Perëndimor dhe është ende në rritje në Shqipëri. Këtë e vëren Banka Botërore në raportin më të fundit "Trendet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor për vitin 2019", të prezantuar nga BB dhe Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

Në vitin 2018 ishin të rinjtë, gratë e moshuara dhe punonjësit me arsim të ulët ata që kishin më shumë gjasa të kryenin punë informale.

"Përmirësimet në performancën e tregut të punës janë inkurajuese, por trendi ngadalësues nxjerr në pah një sërë shqetësimesh", tha Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. "Ne ende kemi nevojë për një sektor privat më të fuqishëm që gjeneron vende pune dhe politika publike të përshtatshme që përmirësojnë punësueshmërinë e fuqisë punëtore për të mbështetur performancën dhe ecurinë e tregut të punës në të ardhmen".

Banka Botërore gjykon se performanca e tregut të punës në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar të përmirësohet, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se sa një vit më parë dhe pavarësisht rritjes më të fortë ekonomike në rajon. Sipas raportit, numri i vendeve të reja të punës të hapura midis tremujorit të dytë të vitit 2017 dhe tremujorit të dytë të vitit 2018 është rreth 68,000, krahasuar me 231,000 prej tyre një vit më pare, 163 mijë vende pune më pak. Nga ana tjetër, rritja e PBB-së në rajon u regjistrua nga 2.5 përqind në vitin 2017 në 3.9 përqind në vitin 2018.

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë raportuar rritjen më të madhe sa i takon numrit të vendeve të punës në rajon, me 3.3 përqind secila, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me një rritje prej 2.1 përqind. Shumica e vendeve të reja të punës u krijuan në sektorin e industrisë dhe shërbimeve.

Raporti vëren se gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor, por më shumë se gjysma e rritjes së punësimit është regjistruar në rradhët e tyre. Mesatarisht, tregjet rajonale të punës kanë shfaqur përmirësime në normat e aktivitetit (nga 0.5 pikë përqindjeje deri në 62.8 përqind) dhe normat e punësimit (nga 1 pikë përqindjeje deri në 52.9 përqind), por, gjithsesi ato mbeten shumë më poshtë standardeve europiane.

Papunësia pësoi ulje historike në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke rënë nga 16.2 për qind në 15.3 për qind gjatë vitit të kaluar. Normat në shtetet në fjalë shkonin nga rreth 12 për qind në Serbi dhe Shqipëri në 29 për qind në Kosovë. Edhe rajoni përjetoi një rënie të ndjeshme të papunësisë afatgjatë, nga një shifër kulminante prej 1.5 milionë persona në vitin 2011 në 776,000 persona në tremujorin e dytë të vitit 2018. Megjithatë, papunësia në Ballkanin Perëndimor mbeti një sfidë e konsiderueshme ku nivelet e arritura ishin dy deri në tre herë më të larta se në vendet e BE-së.

Pavarësisht pozicionit të tyre të vështirë në tregun e punës, citon raporti, situata e punësimit të të rinjve vazhdoi të përmirësohej, ku norma e papunësisë në rradhët e të rinjve pësoi rënie me 3 pikë përqindje deri në 34.6 për qind. Shumica ishin të papunë afatgjatë, duke filluar nga rreth 70 përqind në Bosnje dhe Hercegovinë në 43 përqind në Malin e Zi. Mesatarisht, 50 për qind e të rinjve punonin me kontratë të përkohshme, fenomen ky që preku 8 nga 10 punëtorë në moshë të re në Kosovë dhe Mal të Zi. Edhe pse në rënie, përqindja e të rinjve (15-24 vjeç) të cilët nuk janë të përfshirë në punësim, arsim dhe as në trajnim (NEET) mbeti e lartë në nivelin 22.3 për qind. Normat nën mesatare u raportuan në Mal të Zi dhe në Serbi (rreth 17 përqind), krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (që variojnë nga 24 deri në 26 përqind).

Pagat dhe kostot e krahut të punës ishin dukshëm më të ulëta në Ballkanin Perëndimor, krahasuar me BE-në dhe gjatë viteve të fundit nuk ka pasur një konvergjencë të qartë "Përveç dinamikës pozitive, ndonëse në rënie të zhvillimeve të punësimit, trendet e fundit në produktivitet dhe në rritjen e pagave janë shqetësuese dhe duhet të trajtohen nga politikëbërësit për të ndihmuar si konvergjencën ashtu dhe punësimin", tha Robert Stehrer, Drejtor Shkencor i Institutit të Vjenës për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare.

Raporti konstaton se tatimi mbi të ardhurat e krahut të punës në Ballkanin Perëndimor është relativisht i lartë për punonjësit me pagë të ulët dhe për punëtorët me përgjegjësi familjare/ që kanë persona të tjerë në varësi, duke pasur parasysh progresivitetin e ulët të rajonit dhe përdorimin e rrallë të ndihmës familjare në regjimet e tatimit mbi të ardhurat. Punonjësit me pagë të ulët janë në një situatë edhe më të pafavorshme në tregun formal të punës sa i takon pagës së tyre neto dhe kostos relativisht të lartë të punësimit të tyre krahasuar me personat me të ardhura të mesme ose të larta.

Këto disavantazhe kthehen në një pengesë shtesë për punonjësit kur bëhet fjalë për sistemim në vende formale pune si edhe për vetë firmat për të hapur vende formale pune, veçanërisht për punonjësit me arsim të ulët dhe punonjësit e tjerë me pagë të ulët. Një reformë e gjerë e të gjithë sistemit të tatimit të krahut të punës dhe të sigurimeve shoqërore mund të shërbejë si metoda më premtuese për ringjalljen e tregjeve të punës në Ballkanin Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë