Lajme

BB: Shqipëria pa strategji të qarta për promovimin e vendit ndaj investitorëve të huaj

Shqipëria nuk ka strategji të qarta për tu promovuar ndaj investitorëve të huaj dhe si rezultat është paraqitur më dobët se vendet e tjera të rajonit në këtë drejtim në një vlerësim që ka bërë Banka Botërore.

Institucioni financiar ndërkombëtar bëri vitin e kaluar një anketim në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për të vlerësuar klimën e investimeve dhe mundësitë për përmirësime në të ardhmen.

Sipas Bankës Botërore, kompanitë që veprojnë në Shqipëri, Bosnje dhe Kosovë dhanë vlerësime të dobëta për performancën e qeverisë në lidhje me tërheqjen dhe promovimin e investimeve.
Problemet kryesore që evidenton raporti i vlerësimit kryesisht në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të rajonit, janë strategjitë e paqarta të investimeve kombëtare dhe në disa raste paparashikueshmëria në politikat e taksave dhe stimujve fiskalë.

Në Shqipëri 53 % e investitorëve mendojnë se incentivat për taksimin e korporatave janë shumë të varfra.

Kurse në vendet e tjera të Rajonit si Bosnjë, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mali i Zi, masa paraqitet shumë më e ulët.

Përsa i përket shërbimeve publike ndaj investitorëve, kompanitë e huaja kishin vlerësim negative të lartë negativ për Shqipërinë.

Përveç Maqedonisë dhe Serbisë, kompanitë në shumicën e ekonomive dhanë vlerësime të dobëta për cilësinë e shërbimeve nga agjencitë e promovimit të investimeve ose ofruesit e tjerë qeveritarë të shërbimeve për investitorët. Në Shqipëri dhe Kosovë gati gjysma e kompanive të anketuara zbuluan se performanca e qeverisë ishte e dobët ose shumë e dobët.

Për kompanitë e huaja në Rajon ajo çfarë i jep siguri për të investuar është pasja e një Strategjie Kombëtare për investimet e huaja; Parashikueshmëri e politikave tatimore; Disponueshmëri e stimujve për taksat doganore ose TVSH-në e importit.

Investitorët në Malin e Zi, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit kanë dhënë vlerësimet më të larta në lidhje me stimujt që qeveria aplikon për kompanitë e huaja.

Rreth 60% e kompanive në Shqipëri dhe Mal të Zi kanë shfaqur shqetësim të lartë për mungesën parashikueshmërisë së politikave fiskale në raport me vendet e tjera.

Në Maqedoni dhe Serbi, shumica e kompanive e vlerësuan disponueshmërinë e stimujve fiskale si të mirë ose shumë të mirë. Shumica e ekonomive të tjera u vlerësuan mesatarisht, dobët ose shumë dobët.

Shumica (79.1 për qind) e kompanive të intervistuara po planifikojnë projekte zgjerimi në rajon, me vlerësime shuma që arrijnë në rreth 405 milion euro dhe me një shtesë të vendeve të punës me 6410 persona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë