Lajme

BB: Korrupsioni në Shqipëri është përkeqësuar në 6 vitet e fundit

Banka Botërore ka vlerësuar në raportin më të fundit se niveli i korrupsionit në Shqipëri është zgjeruar ndjeshëm në 6 vitet e fundit.

Në raportin e vrojtimit të sipërmarrjeve, që kryhet një herë në gjashtë vjetë në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, ku kompanitë janë pyetur për çështje thelbësore që lidhen me klimën e biznesit si korrupsioni, taksat, krimi dhe ambienti rregullator, evidentohet se mbi 36 për qind të bizneseve shqiptare u është kërkuar të paktën një herë ryshfet nga zyrtarët e shtetit.

Ky nivel është tre herë më e lartë se mesatarja e rajonit dhe mbi dy herë më e madhe se sa mesatarja botërore.

Sipas Bankës Botërore, shpeshtësia e ryshfeteve është rritur me gati dy herë, nga 20.6 për qind që ishte gjashtë vite më parë në 36.1 për qind në matjen e fundit.

Banka thotë se shpeshtësia e korrupsionit sot është më e lartë edhe se sa në vitin 2005.
Edhe treguesit e tjerë si thellësia e korrupsionit, përqindja e kompanive që japin para nën dorë për inspektorët e taksave si dhe atë të bizneseve që japin dhurata për të marrë kontrata nga qeveria, janë përkeqësuar sa dy-fishi i gjashtë viteve më parë.

Pak ditë më parë edhe studimi më i fundit i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike në lidhje me korruspionin tregoi se 50% e të intervistuarëve janë shprehur se do të pranonin rryshfet nëse do të ishin në një pozicion zyrtar (e nëse do të kishin një problem madhor ).
Kurse, pjesa e të anketuarëve që janë plotësisht të pandjeshëm ndaj korrupsionit, që do të thotë se nuk do të përfshiheshin kurrë në praktika korruptive është vetëm 4%.

Rezultatet e e Sistemit të Monitorimit të Korrupsionit do të tregonin se gjysma e qytetarëve në moshë madhore (44.8 %) pranon që kanë patur presion, ju është kërkuar rryshfet nga ana e zyrtarëve publikë për zgjidhjen e një problemi.

Ky nivel përfaqëson një përmirësim me 5% në krahasim me studimin e tre viteve më parë, duke reflektuar në ulje të presionit korruptiv nga ana e zyrtarëve publikë ndaj qytetarëve.

Gjithashtu tregojnë gjetjet e studimit, është zvogëluar përfshirja e qytetarëve në korrupsion me një ulje prej afërsisht 6 % nga përgjigjet e të anketuarëve që pranojnë se kanë dhënë rryshfet zyrtarëve publik krahasuar me tre vite më parë.

Nivelet e larta të ndikueshmërisë së korrupsionit në shoqërinë shqiptare cënojnë në vijimësi përpjekjet për të luftuar ndikimin e tij negative.

Sipas rezultateve të anketimit, në vitin 2019 grupet që perceptohen si më të korruptuarit vijojnë të mbeten gjyqtarët, prokurorët, zyrtarët e administratës në sistemin e drejtësisë, doganierët, partitë politike dhe liderët politikë.

Rezultatet tregojnë që gjatë tre viteve të fundit, nuk është shënuar asnjë përmirësim në besimin e qytetarëve në këto grupe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë