Treg

BB: Covid-19 krijoi në Shqipëri më shumë të papunë se kudo në Ballkanin Perëndimor

Banka Botërore sugjeron se sikur edhe vetëm 10% e emigrantëve të kthehen në Atdhe, kjo do ta rritse me 1/3 numrin e të papunëve në çdo vend të Ballkanit Perëndimor.

Banka Botërore në një dokument të sajin del me konkluzionin e kriza COVID-19 ka fshirë tashmë një pjesë të arritjeve në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

Tkurrja e punësimit në Ballkanin Perëndimor është tashmë e dukshme dhe më e qenësishme rezulton të jetë sipas BB në Shqipëri.

Të dhënat për ecurinë e tregut të punës deri në muajin prill tregojnë se rritja më e madhe vjetore e numrit të personave të papunë deri tani në vitin 2020 ka ndodhur në Shqipëri, rritur me 25 për qind, dhe në Maqedoninë e Veriut, me 11 për qind.

Sipas Bankës, kjo pasqyron pjesërisht futjen në rregulla të punonjësve joformalë të cilët janë regjistruar për të përfituar nga sigurimet shëndetësore dhe nga pagesa të tjera sociale.

Me përjashtim të Serbisë dhe të Kosovës, të dhënat administrative për papunësinë kanë filluar të tregojnë një rritje vjetore të numrit të personave të papunë.

Pas muajit janar ka pasur rreth 63.000 persona të regjistruar rishtazi pranë zyrave të punësimit. Gjithashtu, në tremujorin e parë të vitit 2020, të dhënat për vendet e lira të punës për Malin e Zi tregojnë një rënie prej 75 për qind dhe për Serbinë një rënie prej 48 për qind, çka tregon një përkeqësim të mëtejshëm të situatës në tregun e punës në të ardhmen.

Shoqëritë tregtare kanë kaluar me shpejtësi drejt masave mbrojtëse: kanë ndryshuar orarin e punës, kanë bërë shkurtime të përkohshme të orëve të punës, kanë detyruar punonjësit të marrin lejen vjetore, leje pa të drejtë rroge dhe ka pasur edhe shkurtime të vendeve të punës për të përballuar rënien e veprimtarive apo madje edhe mbylljen e detyruar.

Sipas Dhomës Serbe të Tregtisë, deri më 31 mars, rreth 77.000 punëmarrës qenë shtrënguar me forcë të merrnin leje për shkak të pezullimit të prodhimit,ndërsa rreth 1.000 shoqëri i kishin llogaritë e bllokuara për shkak të paaftësisë për të shlyer detyrimet.

Të parët që janë pushuar nga puna kanë qenë punonjësit me kontrata me afat. Sipas anketës së Dhomës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, të zhvilluar në fillim të muajit prill, vetëm 19 për qind e firmave i kishin detyruar punonjësit të merrnin leje dhe vetëm 0,8 për qind e firmave kishin pushuar punonjës nga puna. Shumë firma kishin likuiditet të mjaftueshëm për t’i mbrojtur përkohësisht vendet e punës dhe qenë në pritje të shpalljes së mbështetjes nga qeveria në formë subvencionimi të pagave. E megjithatë, rrezikoheshin rreth 29.000 vende pune pasi shumica e bar-restoranteve dhe hoteleve i mbyllën dyert sipas urdhrave zyrtarë për mbyllje. Një shoqatë biznesi në Kosovë konstatoi se 84 për qind e firmave të anketuara ose qenë mbyllur plotësisht, ose punonin me kapacitet të reduktuar ose me orare të reduktuara pune, dhe rreth 29 për qind e kishin ulur numrin e punonjësve.

Papunësia do të preket më tej nga emigrantët e kthyer

Banka Botërore sugjeron se sikur edhe vetëm 10% e emigrantëve të kthehen në Atdhe, kjo do ta rritse me 1/3 numrin e të papunëve në çdo vend të Ballkanit Perëndimor.

Dhe një fenomen i tillë është vënë re e do të vihet në vazhdim, për arsye se tregjet e punës në Europë janë prekur nga masa kufizuese dhe nga një krizë e theksuar e kërkesës, punonjësit migrues me kontrata afatshkurtra pune kanë qenë ndër të parët të cilëve u janë shkurtuar vendet e punës. Shumë prej tyre kanë vendosur të kthehen në atdhe për të zvogëluar kostot e jetesës në vendet pritëse, ku nuk kanë pasur mundësi përfitimi nga sigurimet shoqërore apo nga pagesa e papunësisë, por ende nuk ka të dhëna zyrtare për këtë.

Ndikimi total në punësim pritet të jetë i paprecedentë dhe me bazë të gjerë.

Ndryshimet në punësim me gjasë do të intensifikohen, pas njëfarë vonese nga tkurrja ekonomike. Në vitin 2009, duhej të kalonin dy tremujorë përpara se të dukej qartë ndikimi që pati në punësim ngadalësimi. Në krizën e tanishme, citon BB, ndikimi në punësim ka qenë më i shpejtë si pasojë e bllokimeve, megjithëse njëfarë ndalimi i tregjeve të punës nuk lejonte largim më të shpejtë të fuqisë punëtore.

Në vitin 2017, në Europë jetonin rreth 3,7 milionë punonjës nga Ballkani Perëndimor.

Sipas Bankës Botërore shkalla e ndikimit në papunësi do të varet nga

• zhvillimi i krizës (rimëkëmbje e formës V në krahasim me rimëkëmbjen e formës L apo U);

• heterogjenia e strukturës ekonomike të çdo vendi dhe ndikimi që do të ketë COVID-19 në disa

sektorë specifikë;

• shpejtësia me të cilën u përgjigjen tregjet e punës tendencave ekonomike në ndryshim; dhe

• efektiviteti i masave shtetërore për mbrojtjen e vendeve të punës dhe të firmave (nga qasja “gjithçka që duhet” deri te paketat e synuara dhe të kufizuara nga mundësitë buxhetore).

Sipas BB, sektorët më të prekur nga rënia drastike e produktit janë hoteleri-turizmi dhe shërbimet ushqimore, disa sektorë prodhimi, tregtia me shumicë dhe një pjesë e tregtisë me pakicë dhe pasuritë e paluajtshme dhe aktivitetet e biznesit. Këta sektorë punësojnë shumë vetë, shpesh punonjës me pagë të ulët dhe nivel të ulët aftësish, sidomos në rastin e hoteleri-turizmit dhe shërbimeve ushqimore dhe në tregtinë me pakicë. Punonjësit e angazhuar në aktivitetet e konsideruara thelbësore (si shpërndarja e ushqimeve, produktet farmaceutike) e kanë vijuar punën, por përballen me risqe më të mëdha shëndetësore në punë. Sektori i prodhimit do të ketë një ndikim të diferencuar: farmaceutika, agropërpunimi dhe prodhimi i ushqimeve, një pjesë e industrisë së letrës dhe tekstileve do t’i vijojnë aktivitetet, ndërsa punonjësve në zinxhirët e furnizimit të industrisë automobilistike u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi me ndalimin e prodhimit. Në sektorët e transportit, magazinimit dhe komunikacionit ka pasur disa prej punonjësve të prekur negativisht (për shembull sektori i aviacionit), ndërsa të tjerët kanë qëndruar për të plotësuar kërkesën në tregtinë online. Bujqësia ka mbetur më së shumti e paprekur, me përjashtim të ofertës së kufizuar të lëndëve të importuara dhe faktorëve të prodhimit bujqësor të importuar për shkak të mbylljes së kufijve.

Kush do të preket më shumë nga papunësia si pasojë e krizës së shkaktuar nga Covid-19?

Banka Botërore thotë se do të preken më së shumti punonjësit meshkuj mbi 30 vjeç me arsim të mesëm, të cilët punojnë në NVM me kontrata definitive.

"Tri të katërtat e punonjësve që mund të preken janë të grup-moshës 30-64 vjeç. Për rajonin në tërësi, dy të tretat kanë arsim të mesëm, por në Shqipëri ky grup zë më pak se 50 për qind. Rreth 34 për qind e personave të prekur kanë jo më shumë se arsim fillor. Rreth 23 për qind e të gjithë atyre që mund të jenë prekur janë të vetëpunësuar, ndërsa shumica e tyre (tri të katërtat) janë të punësuar në firma me kontratë definitive në NVM (dy të tretat)."-Banka Botërore

Rreth dy të tretat e punonjësve që ka mundësi të preken janë punonjës meshkuj, sepse të punësuar ka më shumë meshkuj se femra, por edhe për shkak të llojeve të punëve që kryejnë meshkujt. Në Kosovë, hendeku gjinor i cili ekzistonte më parë tregon se vetëm 13 për qind e punonjësve të prekur do të jenë femra. Do të jetë e rëndësishme të sigurohet që pabarazitë gjinore të mos zgjerohen gjatë dhe pas pandemisë dhe që arritjet  sa i takon akumulimit të kapitalit njerëzor, fuqizimit ekonomik dhe dëgjimit të zërit dhe forcës për femrat, të akumuluara me aq mundim gjatë dekadave të fundit, të mos kthehen pas. Tri të katërtat e punonjësve që mund të preken janë të grup-moshës 30-64 vjeç. Për rajonin në tërësi, dy të tretat kanë arsim të mesëm, por në Shqipëri ky grup zë më pak se 50 për qind. Rreth 34 për qind e personave të prekur kanë jo më shumë se arsim fillor. Rreth 23 për qind e të gjithë atyre që mund të jenë prekur janë të vetëpunësuar, ndërsa shumica e tyre (tri të katërtat) janë të punësuar në firma me kontratë definitive në NVM (dy të tretat).

Nuk është për t’u habitur, citon BB në document që goditjen më të madhe e kanë marrë punëmarrësit e sektorit privat (88 për qind). Vetëm në Kosovë, do të ketë më shumë punonjës të përkohshëm të cilët do ta humbin punën në krahasim me ata që janë në marrëdhënie definitive pune, por kjo ndodh për shkak të strukturës së tregut të punës përpara krizës. Një e dyta e punonjësve të prekur do të jenë në shoqëri të vogla (deri në 10 punonjës), ndërsa vetëm në Maqedoninë e Veriut mbi 38 për qind e punonjësve të prekur do të jenë nga firma të mëdha. Një e treta e të gjithë punonjësve të prekur në Ballkanin Perëndimor punojnë në tregtinë me shumicë dhe atë me pakicë.

Shkalla e rritjes së papunësisë varet gjithashtu nga sa efektive janë masat e politikave për rritjen e kërkesës për fuqi punëtore.

BB sugjeron se kundërpërgjigjet e menjëhershme të politikave duhet të sigurojnë masa lehtësuese për punonjësit dhe për ndërmarrjet për të mbrojtur mjetet e jetesës dhe bizneset me rentabilitet ekonomik, sidomos në sektorët e goditur më rëndë, duke hedhur kështu themelet për kushtet për një rimëkëmbje të menjëhershme e të pasur me vende pune me t’u vënë nën kontroll pandemia. Burimet publike duhet të përdoren së pari për të siguruar lehtësim të përkohshëm dhe të synuar për sektorët e prekur më rëndë.

“Përvoja e ngadalësimeve të mëparshme ekonomike ka treguar se subvencionet e pagave mund të ndihmojnë në ruajtjen e vendeve të punës. Vlerësimet negative të subvencioneve për pagat zakonisht kanë të bëjnë me programe që synojnë personat në pozita të pafavorshme ose nxisin krijimin e vendeve të reja të punës në kohëra ekonomike “normale”. Por, që programet e subvencioneve të arrijnë shpejtësinë e duhur mund të dojë kohë. Komunikimi efektiv, dialogu social dhe angazhimet e qarta nga qeveria kanë rëndësi kritike për kufizimin e humbjes së vendeve të punës gjatë krizës.”- thotë Banka.

Politikat e mëposhtme afatshkurtra janë përdorur shpesh për të mbrojtur personat e prekur dhe ndihmojnë në ruajtjen e vendeve të punës në bizneset të cilat në kushte të tjera do të ishin rentabël:

• Lehtësimi i punësimit alternativ ose i aftësisë për punësim të personave të mbetur pa punë;

• Ofrimi i mbrojtjes së të ardhurave për ata që humbin vendin e punës dhe mjetin e jetesës;

• Mbrojtja e bizneseve nga falimentimi i menjëhershëm për shkak të tronditjeve të kërkesës,

ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit dhe mbylljes ekonomike; dhe

• Mbështetja e mbajtjes së punonjësve në punë nëpërmjet subvencioneve për punësimin.11

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë futur në zbatim masa për t’i nxitur ndërmarrjet të ruajnë ose të krijojnë vende pune. Brenda muajit prill 2020, një muaj pas futjes në zbatim të bllokimit dhe masave kufizuese në të gjithë rajonin, të gjitha qeveritë e rajonit kishin miratuar disa programe mbështetjeje për të shpëtuar vendet e punës dhe firmat. Krahas masave të mbrojtjes së shëndetit, lehtësimeve fiskale, skemave të garancive, linjave të subvencionuara të kreditimit dhe masave të asistencës sociale, ka pasur edhe masa për të shpëtuar vendet e punës nëpërmjet kompensimit të pjesshëm ose të plotë të kostove të pagave, si edhe pagesa më të larta të papunësisë me kritere të lehtësuara përfitimi.

Ndërkohë që janë duke u zbatuar ende masat e shpallura nga qeveritë, është me rëndësi të monitorohen efektet dhe t’u bëhen përshtatje masave sipas nevojës.

Megjithëse pasojat e krizës janë ende duke u shpalosur, mund të shihen që tani disa shenja të ndrojtura lehtësimi në disa vende.

Banka sugjeron se është mirë që autoritetet të mos e largojnë vëmendjen nga sfida të tilla afatgjata si mungesat akute të fuqisë punëtore dhe aftësive dhe produktiviteti i ulët. Vlen të shihen mundësitë e transferimit të operacioneve të bizneseve në vende më të afërta, kalimit me kontratë të shërbimeve te të tretë dhe digjitalizimit. Në periudhën afatgjatë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të rrisin edhe investimet në aftësi dhe të zgjerojnë mundësitë për zhvillim të aftësive. Për ta ulur rrezikun e automatizimit dhe për ta përmirësuar cilësinë e vendeve të punës, rajoni duhet të rritë investimet në aftësitë themelore dhe në aftësi moderne “të ekonomisë së re”, të tilla si aftësitë në TIK, aftësia për të zgjidhur probleme, kreativiteti, komunikimi dhe aftësia në marrëdhënie me njerëzit, të cilat do t’u japin mundësi punonjësve të tanishëm dhe të ardhshëm të përshtaten me tregjet e punës të cilat janë duke pësuar ndryshime të vrullshme. ©Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë