Në muajin prill, gjatë një vizite zyrtare në Uashington, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka u takua me Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis. Në media, Ministria e Mbrojtjes publikoi temat e diskutimit, ku binte në sy kërkesa e Xhaçkës për hapjen e një baze ushtarake amerikane, ose të NATO-s në Shqipëri.
“Ne besojmë se është koha për të parë një gjurmë në Shqipëri. Një prani e SHBA, ose e NATO-s në Shqipëri është një demonstrim i qartë se kjo zonë nuk harrohet nga aleatët tanë. Në funksion të këtij projekti, ne jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion bazat tona detare, kapacitetet tona tokësore, ajrore, e detare, në mënyrë bilaterale me SHBA, ose në kuadrin e NATO-s. Në të njëjtën kohë dëshirojmë të shohim një rritje të prezencës së industrisë së mbrojtjes amerikane në Shqipëri. Në këtë drejtim, ne do të vlerësojmë mbështetjen dhe rolin tuaj për të promovuar këtë angazhim”, apelonte Xhaçka.
Kërkesës në kufijtë e lutjes iu përgjigj pozitivisht Këshilli i Atlantikut Verior, që miratoi së fundmi vendimin për hapjen e një baze të NATO-s në vendin tonë. Baza do të jetë në Kuçovë dhe lajmin i pari e dha Edi Rama.
“Me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës. Përmes këtij projekti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për policimin ajror; si dhe trainime dhe stërvitje të Aleancës”, deklaroi përmes rrjeteve sociale, kreu i Qeverisë.
Investimi, ndonëse është ushtarak pritet që të reflektohet pozitivisht edhe në rritjen e mirëqënies së zonës dhe Rama është i bindur për këtë.
“Padyshim, një investim i këtyre përmasave krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik e social të gjithë rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze të re ajrore të teknokogjisë së fundit”, vijon ai.
Puna pritet që të nisë brenda këtij viti dhe në përfundim të saj e bën Kuçovën me bazën e vetme të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, si përforcim i bazës amerikane Bondsteel në Kosovë.
Vendimi është marrë në një periudhë pasigurie në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat nuk janë të pakta dhe as të thjeshta. Së pari, hapja e bazës është njoftuar në një periudhë kur në Kosovë e Beograd po diskutohet gjithnjë e më shumë ideja e rishikimit të kufijve.
Së dyti, Maqedonia voton në shtator në një referendum delikat për çështjen e emrit, që nëse kalon do t’i shmangte veton greke në Aleancë. Por, marrëveshja e emrit ka nxitur tensione në Shkup dhe nga opozita “fajtorët” kryesorë, veç Kryeministri Zoran Zaev dhe qeverisë së tij shihen edhe shqiptarët.
Në protesta dhe tubime të ndryshme janë dëgjuar gjithnjë e më shpesh sloganet e koret luftënxitëse, si “shqiptar i mirë, është shqiptari i vdekur”, ndaj situata e sigurisë në fqinjin tonë lindor mund të përkeqësohet para, gjatë dhe pas referendumit.
Së treti është edhe ndikimi rus. Moska nuk e kapërdiu anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe para se Podgorica të merrte ftesën nga Aleanca në vend ndodhi një përpjekje për të rrëzuar qeverinë. Përpjekja dështoi, ndërkohë që pas saj, autoritetet malazeze drejtuan gishtin e fajësisë nga Beogradi dhe Moska.
Tani është radha e Maqedonisë, që ndryshe nga Mali i Zi nuk ka prani të madhe popullsisë serbe, por ka një marrëdhënie shumë herë më të brishtë etnike, që e bën një terren më të favorshëm për ndërhyrje të mundshme nga jashtë.
Për këto dhe të tjera arsye, vendimi për hapjen e bazës në Shqipëri interpretohet gjerësisht si rritje e vëmendjes së Perëndimit për Ballkanin Perëndimor dhe një garanci më shumë për sigurinë në rajon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.