Lajme

Baza e NATO-s në Kuçovë, punimet nisin së shpejti

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka pritur sot në Tiranë komandantin e forcave ajrore të NATO-s, Gjeneral Wolters. Vizita e tij përkon me 10-vjetorin e Shqipërisë në NATO dhe 70-vjetorin e krijimit të Aleancës.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Wolters vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në NATO, duke u shprehur i emocionuar për bashkëpunimet e mëparshme.
“Jemi të emocionuar që t’ju kemi ju partnerë në NATO. 10 vjet më parë kombi juaj u bë pjesë e Aleancës. Do të vazhdojmë me përmirësimin e infrastrukturës. Forcat e armatosura shqiptare i japin një investim të fuqishëm NATO-s. Paqja që transmetoni ju është e mrekullueshme për Aleancën. Privilegj absolut që avionët e NATO-s të nderonin përkushtimin tuaj. Mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin me ju”, u shpreh gjenerali i NATO-s.
Ai po ashtu iu përgjigj interesimit të gazetarëve se pse ishte zgjedhur pikërisht Kuçova për të vënë në jetë zbatimin e këtij projekti, kaq ambicioz, siç tha ai.
“Kuçova ka disa karakteristika të veçanta. Është në një vendndodhje të mrekullueshme gjeografike që të lejon të bësh atë çfarë kemi menduar, përfshi këtu edhe klimën e mirë që ka”, tha ndër të tjera gjenerali.

Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka, siguroi se Shqipëria është një vend i sigurt, ku Aleanca do të investojë kapacitetet e saj, çka rrit jo vetëm sigurinë kombëtare, por edhe sigurinë në të gjithë Ballkanin.
“Brenda pak muajsh do jetë gati masterplani nga Agjencia e NATO-s për Prokurimet dhe Mbështetjen – NSPA. Masterplani i hap rrugë fillimit të punimeve në terren. Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një lajm i jashtëzakonshëm jo vetëm për ne, por edhe për gjithë rajonin”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Gjenerali Wolters u prit në një ceremoni zyrtare nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.

Në shenjë nderimi dhe mbështetjeje për përmbushjen e misionit të Shqipërisë në Aleancë rreth orës 11:00, avionët e NATO-s u shfaqën në hapësirën shqiptare me zhurmën e tyre të fortë. Pikërisht, në këtë kohë momenti i fluturimit të avionëve u shijua nga të pranishmit në ceremoni, por edhe kalimtarët në rrugë.

Në muajin gusht të vitit 2018, u dha lajmi se NATO do të ndërtojë bazë ajrore në Kuçovë, në bazën e vjetër ajrore, ku tashmë qëndrojnë avionë luftarakë. Baza ajrore e Kuçovës do të shndërrohet në bazën e parë të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë