Gazeta Si – Në bazën e armëve të zbuluar në Vlorë, u gjetën edhe një snajper, i cili dyshohet të jetë p[ërdorur në atentatin e fundit ndaj Gëzim Sinomataj.
Gjatë aksionit u arrestua 35-vjeçari Luçiano (Albano) Deraj, i cili dyshohet se është i lidhur me grupet kriminale që veprojnë kryesisht në Vlorë.
Në fakt, Deraj ishte ndaluar më herët një tjetër vend jashtë banesë, edhe pse në pamjet e publikuara nga policia e Vlorës, efektivët shihen duke i vënë prangat në një nga dhomat e shtëpisë.
I riu dyshohet se i përket një grupi kriminal, i cili bashkëpunonte me një person që ka humbur jetën disa vite më parë në afërsi të Durrësit në një atentat dhe që në Vlorë konsiderohej me një rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sa i përket arsenalit të armëve që përfshinte snajperë, pistoleta, kallashnikovë, fishekë, maska, çifte, radiomarrëse dhe mina me telekomandë, burime shprehen se ai është më i madhi i gjetur ndonjëherë në qytetin bregdetar.
Për shkak të kalibrit 7.65mm, një nga snajperët e sekuestruar nga policia, dyshohet se është përdorur në ekzekutimin e fundit të ndodhur në Vlorë ndaj Gëzim Sinomatajt, ndërsa ndodhej në ballkonin e shtëpisë.
Maskat me silikon që janë gjetur përdoren për ndryshimin e imazhit të anëtarëve të grupit dhe bombat plastike për mos u kapur nga detektorët.
Ato përfshihen në listën e mjeteve më të avancuara që përdorte ky grup ku Deraj bën pjesë. Në banesë u gjetën disa lloje armatimesh, snajper, pistoleta, qindra fishekë, 7 kallëpe lëndë eksplozivi plastik, silenciatorë për armët, 4 dylbi optike, 2 palë dylbi, radiomarrëse me valët e Drejtorisë së Policisë Vlorë, targa dhe çelësa makinash, maska, fenelina dhe veshje të ndryshme.
Armët dhe pajisjet e sekuestruara do t’i nënshtrohen një ekspertize teknike, biologjike dhe balistike, për të rënë në gjurmët e personave të tjerë të përfshirë si dhe të verifikohet nëse armët e zjarrit janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
Ndërkohyë, jashtë kamerave familjarët shprehen se u tronditën kur panë aq shumë polici në banesë.
Ata thonë se djali u arrestua në ambientet e punës dhe më pas u dërgua në banesë me pranga, ku u ushtrua edhe kontrolli i imtësishëm. 35-vjeçari është pronar i një servisi makinash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.