Drejtësia

Baza e armatimeve në Vlorë, burg për Luçiano Derajn. I arrestuari refuzon të flasë në gjykatë

Gazeta Si - Luçiano Deraj ka zgjedhur të mos flasë para Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, e cila i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi në banesën e tij tre ditë më parë në Babicë, policia gjeti një arsenal armatimesh të llojeve të ndryshme.

Deraj mësohet se përgjatë seancës gjyqësore nuk ka folur fare, duke mos dhënë asnjë reagim, përveç pyetjeve të drejtuara nga relatorja e kësaj seance.

Sipas të dhënave të grupit hetimor, snajperi i gjetur në depon e armatimit që u zbulua në fshatin Babicë, dyshohet se është përdorur për ekzekutimin e Gëzim Sinomatajt më 7 janar 2024. Ky i fundit u qëllua me një plumb më kokë, ndërsa policia nuk ka arritur që të gjejë armën e krimit.

Ekspertët dyshojnë se ky snajper i zbuluar në bazën e armatimeve është përdorur për vrasjen e tij, ndërsa në mjetin e djegur që u gjet pas ekzekutimit asokohe u gjet edhe një bllok betoni që dyshohej se ishte vendosur për të mbajtur snajperin.

Luçiano (Albano) Deraj, i arrestuar gjatë aksionit të RENEA-s, ka refuzuar që të flasë para efektivëve të Policisë së Vlorës, duke mos treguar detaje për origjinën e armëve dhe me çfarë grupesh kriminale ka lidhje.

Por sipas dyshimeve mësohet se Deraj bashkëvepronte me disa grupe kriminale në Vlorë, Fier dhe qytete të tjera.

Mbi të rëndojnë një sër veprash kriminale, por i dyshuar edhe në disa ngjarje të tjera kriminale si i përfshirë në qytet. Hetimet vazhdojnë për të zbuluar më tepër rreth përfshirjes së tij, apo grupit kriminal që ishte pjesë, në përfshirjen e tyre në aktivitetet kriminale të qytetit.

Baza e armatimeve dyshohet se është përdorur apo do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale, ndërsa të gjitha armët dhe pajisjet e sekuestruara do t’i nënshtrohen një ekspertize balistike, për të rënë në gjurmët e personave të tjerë të përfshirë si dhe të verifikohet nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale, përfshirë këtu edhe në vrasjen e Sinomatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë