Futboll

Bayern turpëroi 8-2 Barcelonën, Coutinho kishte parashikuar gjithçka para 9 viteve

Një leksion i vërtetë futbolli. Kështu mund të konsiderohet performanca e Bayern Munchen në ndeshjen kundër Barcelonës në çerekfinalen e Champions League. Kampionët e Gjermanisë dominuan totalisht dhe e mbyllën takimin me rezultatin 8-2. Dy herë Thomas Muller dhe Philippe Coutinho, Ivan Perisic, Serge Gnabry, Joshua Kimmich dhe Robert Lewandowski ishin autorët e golave të fitores historike të Bayern Munchen kundër Barcelonës.

Është pikërisht Philippe Coutinho që ndëshkoi në mënyrën më të keqe Barcelonën, klubi që posedonin kartonin e tij.  Pas dy golave, emri i Coutinho u bë menjëherë më i kërkuari në Twitter. Por jo vetëm për dy golat e tij, por për një postim të vitit 2011, që menjëherë u bë virale. Më 4 shtator 2011, kur braziliani ishte vetëm 19 vjeç dhe aktivizohej me Interin shkruante: “Përshëndetje! Sot luajtëm një ndeshje kundër ekipit të të rinjve. Shënova dy gola. Tani jam në shtëpi duke parë një film. Mirupafshim!”. Një postim i vjetër, por që në të njëjtën kohë edhe aktual duke parë rezultatin e ndeshjes së mbrëmshme.

https://twitter.com/Phil_Coutinho/status/110120987621736448

Braziliani është në huazim te Bayern Munich dhe në përfundim të Champions pritet të kthehet te Barcelona. Interesimi nga Premier League nuk mungon, teksa agjenti i tij, Kia Joorabchian, shpjegon për talkSport se pse lojtari mund të qëndrojë te Barcelona. “Coutinho është i përqendruar te Champions League dhe dëshiron ta fitojë me Bayern Munchen. Sapo të përfundojë ky kompeticion, do të rikthehet te Barcelona dhe do të bisedojmë me drejtuesit rreth së ardhmes. Philippe e adhuron Premier League dhe i pëlqen të rikthehet në Angli, por pandemia ka vështirësuar gjithçka. Ai është një lojtar që kushton dhe e shoh të vështirë që klubet e Premier të shpenzojnë aq sa kërkon Barcelona. Kjo është arsyeja pse mund të qëndrojë te skuadra katalanase në sezonin e ardhshëm“, deklaroi agjenti i brazilianit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë