Futboll

Batuta e Tuhel: Nëse Mbape vjen te Bajerni, shkoj e marr vetë me biçikletë

Gazeta Si - Kilian Mbape është sulmuesi që do të donte çdo klub i madh. Francezi është përfolur gjatë për një kalim të mundshëm te Real Madrid, ndërkohë që PSG vazhdon ta konsiderojë kolonën kryesore të projektit të saj.

Bajern Mynih është një nga klubet e mëdha europiane që josh çdo lojtar, por në rastin e Mbape shanset duken minimale. Prandaj dhe trajneri Tomas Tuhel e ka komentuar me një batutë një kalim të mundshëm të sulmuesit te skuadra e tij.

Në një konferencë të fundit për shtyp, trajneri i bavarezëve u shpreh: "Nëse Mbape dëshiron të vijë, unë do të shkoja vetë ta merrja me biçikletë. Por nuk besoj se ky është realiteti”. Fjalë që tregojnë qartë se transferimi i Kilian Mbape në Bundesligë është i pamundur. Trajneri Tuhel e njeh mirëlojtarin, pasi e ka stërvitur kur drejtonte PSG-në.

Mundësitë më të mëdha për të ardhmen e Mbapesë janë Spanja ose Anglia. Reali e ka prenotuar, por ndoshta mund të jetë lodhur pak nga kjo telenovelë e gjatë, ndërsa klubet e Premier Ligës mund ta joshin francezin me super ofertat e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë