Politike

Baton Haxhiu presion Metës: Me Gentin mos bëj gabim historik!

Debateve politike për mos dekretimin e Gent Cakajt në postin e Ministrit të Jashtëm i është bashkuar edhe gazetari i njohur i Baton Haxhiu, i cili në qarqet mediatike është komentuar si njeriu që promovoi Gent Cakën si politikan.
Burime nga Presidenca konfirmuan se Haxhiu i ka dërguar një letër presidentit Ilir Meta, përpara se të shpallej vendimi, duke i kërkuar dekretimin e Cakajt. Madje nga mënyra e të shkruajturit, letra dduket si një formë presioni.
Në këtë letër, Haxhiu që njihet si këshilltari i afërt i kryeministrit Edi Rama, e cilëson kandidaturën e Cakajt si "një shpresë politike që ka bërë dallime me qasjen e tij të mençur dhe veprimet e kujdesshme".
“Prej mbi një viti, Genti ka shërbyer devotshmërisht në Qeverinë e Shqipërisë nga Kabineti i Kryeministrit deri tek zv. Ministri për Evropë dhe Punët e Jashtme. Ai është prej pak njerëzve në Shqipëri dhe në Kosovë, e veçanërisht edhe më i rrallë nga gjenerata e tij, e cila çdo ditë e më shumë shfaqet indiferente në qëndrime dhe konfuze në mendim, që mban ende peshën e rëndë të dijes dhe trajtën e kujdesit njerëzor. Ashtu sikurse jeni edhe ju në dijeni, pasi tashmë keni mbaruar çdo hetim të mundshëm ndaj tij, Genti është prej personaliteteve pa manipulime në edukim dhe pa afera korruptive në karrierë. Ai thjesht është një djalë i pastër, me mendje të kthjellët dhe ideale të larta dhe, pa asnjë diskutim, më i përgatitur se kushdo në të njëjtën pozitë para tij”, shkruan Haxhiu në letrën e tij.

Ndërkaq ai i kujton Presidentit se roli i tij në procesin e dekretimit të ministrave është vetëm formal dhe se nuk mund të bëhet pengesë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Sipas Kushtetutës të Shqipërisë, për dekretimin e Ministrave të propozuar, roli yt, Ilir, është thjesht ceremonial. Në rast se do të shfrytëzosh zbraztësitë në sistemin gjyqësor të Shqipërisë për llogari ditore politike dhe i ndikuar nga vala e paparë e thashethemeve të ditëve të fundit, Ilir, jo vetëm që nuk do të mundësoni emërimin në detyrë të një njeriu që përfaqëson shpresë në shoqëri dhe sjell dije në institucione por, në fakt, do të vulosni ndarjen e thellë institucionale midis Kosovës dhe Shqipërisë. Midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Në kohën kur deklarohesh vazhdimisht për domosdoshmërinë e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund ta bllokosh në mënyre arbitrare emërimin e një Ministri nga Kosova me reputacion të shkëlqyer dhe kualifikime të bollshme!”, thekson më tej Haxhiu.

Në letrën e tij, drejtuesi i Klan Kosova, nuk ka ngurruar që ta cilësojë edhe si një gabim të Metës mosdekretimin e kandidatit për ministër të Jashtëm.
“Në rast se do ta mbash pezull dekretimin e Ministrit të ri, do ta mbani edhe përgjegjësinë institucionale për mosdekretim të politikanëve me mendësi të re në Shqipëri, përjashtimin e një kosovari të shkëlqyer nga jeta e lartë institucionale në Shqipëri edhe bllokimin praktik të bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve. Duke besuar se emri të cilin mban mbi tryezë për Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme paraqet cilësinë më të lartë për këtë detyrë dhe, duke mbetur me shpresë se do të ngritesh përmbi politikat ditore dhe interesat e ngushta, dhe logjikës feudale ku është mbërthyer Shqipëria dhe Kosova, unë, miqësisht, të kërkoj dekretimin sa më të shpejtë të kryediplomatit më të merituar të Shqipërisë. Ilir! Dëgjoje mirë çka po të thotë Batoni: Po gabon shumë dhe mos shko ma tutjeshëm në këtë gabim historik!”, mbyll letrën e tij Haxhiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë