“Sot, Kuvendi do të hedhë poshtë dekretin e Presidentit për kumarin”. Me këto fjalë, Lulzim Basha paralajmëronte nga Durrësi ditën e enjte, ku u mblodhën grupet parlamentare të PD-së dhe LSI-së, si pjesë e strategjisë së opozitës për të denoncuar lidhjen e qeverisë me krimin.
“Profecia” e Bashës u realizua dhe mazhoranca pak orë më vonë rrëzoi dekretin e Ilir Metës. Por, cili ishte arsyetimi i Presidentit në vendimin për rikthim në Kuvend të ligjit? Presidenti thotë se ligji redukton edhe më tej tatimet për këto biznese.
“Ky reduktim realizohet nëpërmjet aplikimit të sistemit të ri të tatimit për këto biznese, i cili me ligjin e ri përcakton si të ardhura bruto, jo “xhiron totale” (siç parashikohet nga ligji ekzistues), por “fitimet bruto”, e cila përllogaritet duke zbritur shumën e fituar nga lojtarët nga shuma totale e luajtur prej tyre. Pra sipas nenit 6 të ligjit nr. 39 /2018, barra fiskale e tatimit ulet nga 15% mbi xhiron, në 15% mbi fitimet bruto”, thuhej në dekretin e Presidentit.
Mazhoranca tha e rrëzoi me 74 vota pro me pretendimin se presidenti ishte keqkuptuar.
“Unë besoj që në dekretin e Presidentit ka një keqkuptim, dikush e ka këshilluar gabim. Ajo që ne bëjmë këtu është e thjeshtë, ne rrisim tatim fitimin e Lotarisë Kombëtare nga 10 në 15%. Pra unifikuam taksimin, si mund ta linim ne të taksohej me pak. I gjithë debati tjetër është qesharak”, u përgjigj nga Kuvendi, Arben Ahmetaj.
Në të njëjtën ditë, Lulzim Basha fliste nga Durrësi për të njëjtën temë.
“23% taksë paguajnë bizneset e ndershme, ndërsa për lojërat e fatit taksa ulet. Erdhën me bujë dhe thanë se do t’i mbyllin lojërat e fatit, por janë shtuar. Pyesni Agron Xhafajn dhe Olsi Ramën pse ka ndodhur kjo”, tha ai.
Kreu i PD-së shkoi edhe më tej duke deklaruar se industria e bixhozit po përdoret nga krimi për të pastruar paratë, ndërsa paralajmëroi publikimin e të tjera të dhënave.
“PD do të publikojë fakte tronditëse për të treguar se Rama dhe Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të ndihmuar bandat që të marrin në dorë lojërat e fatit dhe për t’i përdorur për pastrimin e parave të kokainës dhe heroinës”, tha Basha.
Të premten, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp për këtë tematikë. Tabaku foli për negociata të fshehta mes Xhafajt dhe Ahmetajt.
"Unë kam këtu proces-verbalet e takimit të Komisionit të Ligjeve, ku zoti Xhafaj e pohon diçka të tillë. Negociata sekrete midis Xhafajt dhe Ministrit të Financave prodhojnë ndryshimet më të mëdha që favorizojnë biznesin e bixhozit, jo gjatë diskutimeve 8 mujore, por në seancën plenare gjatë miratimit të tij. Nga 200 m distancë, qeveria përgjysmoi në 100 m largësinë e pikave të bixhozit nga shkollat dhe institucionet fetare, nga 23% tatim mbi fitimin bruto u ul në 15% tatim mbi fitimin e realizuar”, tha ajo.
Enkelejd Alibeaj akuzoi drejtpërdrejtë vëllain e ministrit Xhafaj, Agronin si të lidhur me botën e bixhozit.
"Agron Xhafaj është dënuar me burg në Itali për pjesëmarrje në krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtar droge. Pjesë e bandës së Agron Xhafajt janë edhe dy bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, vëllezërit Besnik dhe Gramos Murataj, të dënuar, gjithashtu për pjesëmarrje në krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtar droge. Bashkëpunëtorët e Agron Xhafajt, vëllezërit Murataj janë pronarë të dy kompanive të basteve. Njëra prej kompanive, ITGSA është më e njohura në tregun e bixhozit dhe njihet me disa emra si Ecobet, Baste Live, Eurolive”, tha ai.
Nga ana tjetër, Jorida Tabaku thotë se numri i pikave të basteve u katërfishuar nga 920 pika në 2013 në 4200 në 2018.
Qeveria vetë flet për ulje, por jo të numrit të pikave të basteve, por të numrit të kompanive të licencuara.
“Ne nuk kemi dhënë asnjë licencë të re për lojëra fati. Në 2013 kanë qenë 40 kompani të tilla, lulëzonin dhe i jepnin shtetit vetëm 23,7 mld lekë, ndërsa pas 2013 kemi vetëm 20 kampani dhe paguajnë 5,4 mld lekë”, tha të enjten, ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
Ahmetaj njoftoi edhe vendimin për të larguar nga qendrat e banuara kazinotë. Ju kujtoj që nga 1 janar 2019 kazinotë elektronike do largohen nga qëndrat e banuara. Nuk ka asnjë mundësi që të shtyhet ky afat. U kërkoj kompanive të përgatisin largimin nga qyteti dhe zonat e banuara”, tha ai.
Industria e lojërave të fatit ishte një kalë beteje i fushatës elektorale të vitit 2013, që solli në pushtet socialistet. Operacioni i parë i qeverisë së tij, “Fundi i Marrëzisë” targetoi tregun e paligjshëm të lojërave të fatit dhe në vitin 2015, qeveria miratoi një ligj që u prezantua si radikal për frenimin e kësaj industrie.
Ligji parashikon zhvendosjen e kazinove nga qendrat e qyteteve, distanca deri në 100 metra mes kompanive të basteve sportive si dhe rritje të tarifave që supozohet të shkojnë për zhvillimin e turizmit, kulturës dhe sporteve.
Por qeveria ndryshoi kurs në vitin 2016 dhe e shtyu zbatimin e ligjit me dy vjet. Të enjten në Kuvend, ministri i Financave, Arben Ahmetaj premtoi se nuk do të ketë më shtyrje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.