Politike

Bastet, opozita mungon në Kuvend. Braçe: Taksë 30% kazinove

Kuvendi këtë të enjte do të votojë projektligjin për mbylljen e pikave të baste sportive brenda 31 dhjetorit të 2018.

Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka “rrëzuar” variantin e parë të Qeverisë, duke riformuluar nene të tjera, ku ka përcaktuar se organizimi i basteve sportive, pas mbylljes, nga 1 janari 2019  do të jenë përgjegjësi e shtetit.

“Realizimi i zhvillimit dhe ndërmjetësimi i lojërave të fatit e basteve sportive e lotarisë është përgjegjësi e shtetit”, thuhet në nenin 1 të këtij ligji.

Drafti i miratuar do t’i paraqitet seancës parlamentare të së enjtes, duke u shoqëruar edhe me dy amendamente të posaçme të deputetëve socialistë Erjon Braçe dhe Ervin Bushati.

Në amendamentin e paraqitur nga ana e kryekomisionerit Braçe kërkohet që të vendoset një taksë për kazinotë si tatim mbi të ardhurat.

“Ne nenin 52, pika 2. riformulohet me këtë përmbajtje: "2. Të ardhurat bruto nga loja, përveç; rasteve të parashikuara ndryshe me ligj të veçantë, për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit tatohen ne masën 15 për qind, me përjashtim të kategorive "Kazino"/ "Kazino në hotele me 5 yje" dhe "Resort kazino" të cilët tatohen në masën 30%.”, thuhet në amendamentin e depozituar nga Braçe, i cili pritet të hidhet në votimin e së enjtes.

Faksimile e amendamentit të depozituar për votim nga deputeti i PS-së, Erjon Braçe

Ndërsa amendamenti i dytë të paraqitur nga socialisti Ervin Bushati kërkohet që të parashikohet:  “Ne nenin 4, pika 13, riformulohet sipas përmbajtjes së mëposhtme: "13."Hotele me 5 yje" janë hotelet, të cilat kanë marre certifikatën e akreditimit për këtë klasifikim nga institucionet ndërkombëtare akredituese dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar, të certifikuar dhe njohur ndërkombëtarisht "brand name ".".

Me këtë përcaktim, kazinotë duhet të jetë nën administrim të kompanive të hotele me 5 yje që janë ndërkombëtarisht të njohura. Ky amendament i penalizon resortet që funksionojnë në Shqipëri në zonat bregdetare.

Opozita mungon në seancë

Opozita pritet të mungojë në seancën e së enjtes. PD dhe LSI kanë bërë të ditur se për shkak të qëndrimeve të mbajtura për Vettingun në politikë, deputetët e opozitës nuk do të jenë në seancë. Edi Paloka konfirmoi për gazetën SI mos prezencën e grupit të PD-së të enjten në Kuvend.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili në një konferencë për shtyp bëri të ditur marrëdhëniet e kushtëzuara me Parlamentin.

“Ky është një vendim politik, që nuk ka lidhje me ditën e nesërme. Ne kemi një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, pasi kemi çështje të mëdha në Parlament të cilat kanë mbetur pa zgjidhje. Ju e dini që ne kemi propozuar një ligj për koncensionet që hanë miliarda lekë në vit. Ligj i cili sot e kësaj dite ka 3 vjet që nuk merret në shqyrtim nga parlamenti. Pra një Parlament që ka refuzuar të gjithë nismat, ka marrë nismat kushtetuese të opozitës për Vettingun politik dhe I shtyn e i zgjat duke kërkuar mendim të Komisionit të Venecias, kështu që ky vendim i kushtëzuar është i pandryshuar. Nuk ka lidhje as me një ligj apo as me një dengël të radhës të kryeministrit”, deklaroi Vasili.

Petrit Vasili në konferencë për shtyp

Kreu i grupit të LSI-së, Vasili e cilëson si skandaloze edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama se nga lojërat e fatit qarkullojnë shifra që nuk përputhen me deklarimet zyrtare.

“Pra kryeministri deklaroi 700 milion euro. “Të dhënat zyrtare janë 140 milion. Kryeministri ka zbuluar që është 5- fishi. Ka vite që e di këtë gjë. Dhe çdo vit FISK-ut shqiptar i vidhen 200 milion euro nga lojërat e fatit, sipas kryeministrit. Pra 1 miliard euro. Evazioni fiskal më i madh i bie që të jetë në historinë e këtij vendi, që kur ky vend ekziston në pluralizëm, se këta mund të çmenden dhe na kërkojnë dhe evazionin fiskal të realizuar para viteve ’90, ku nuk kishim biznes privat fare. Ku ndodhet? Kjo është një çështje e madhe, shumë e rëndë, që nga deklarimet që unë bëj sot, të cilat janë të bazuara vetëm mbi shifrat e organeve tatimore dhe mbi deklarimet e kryeministrit, Prokuroria shqiptare duhet të fillonte pas pak minutash të kësaj konference shtypi, një çështje shumë të madhe penale kryesisht. Një procedurë që e ka shumë të lehtë për ta bërë”, deklaroi Vasili.

Mazhoranca i ka bërë thirrje opozitës që të jetë e pranishme në seancën e së enjtes për të votuar projektligjin e mbylljes së lojërave të fatit, konkretisht të pikave të basteve.

Qëndrimet e opozitës janë komentuar nga ana e mazhorancës, si një kapje e PD-së ndaj basteve dhe kazinove. PD ka akuzuar se kryeministri Edi Rama po kërkon krijimin e një monopoli për t’ia dhënë vëllait të tij, Olsi Ramës.

Në një postim më të fundit në Facebook, ish-kryeministri Sali Berisha shkruan “Bastarena e vëlla Olsit pushton edhe Prishtinën! Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e qytetarit dixhital: Përshendetje Doktor, jam një qytetar nga Prishtina.Edi Rama po krenohet se kinse do i mbyll bastet në Republikën e Shqiperise, mirëpo në Kosove, posaçërisht në Prishtine veçsë kane fillu me lulëzu bastet kompanisë së vella Olsit. Kjo ështe pika që sapo e ka hap mu në qendër të Prishtines, shume pranë menzës së studenteve. Kjo është reklama gjigante e bixhozxhiut Rama e cila po infekton popullin e Kosovës, respektivisht qytetarët e Prishtinës!”

Por këto akuza kryeministri Edi Rama i ka hedhur poshtë, duke i cilësuar si të pavërteta. “Saliu u del për zot basteve, partia e vet i del kundër kontrollit mjekësor bazë FALAS. Këto janë dy fytyrat kuptimplota të një opozite që ka humbur bastin me të ardhmen dhe ka mbetur peng i një politike të dëshpëruar dyfytyrësie e shterpësie të ububushme. Bastet vdiqën Sali”, do të reagonte Rama në një postim në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë