Politike

Bastet me urgjencë në Kuvend. Fati i pikave online, pezull

Në një Parlament ku gjysma e sallës është bosh, nga bojkoti i opozitës, kryeministri Edi Rama mori fjalën për të mos diskutuar për pikat e rendit të ditës, por për të folur për mbylljen e pikave të basteve sportive.

Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij përpara deputetëve të tij u shpreh i qartë se nga 1 janari nuk do të ketë më baste dhe kazino në qendrat e banuara, ndërsa bëri të ditur se mesazhet kërcënuese ndaj socialistëve, kryesisht të atyre që janë anëtar të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, po lëshohen nga burgu 313.

“Me mirëkuptimin e drejtuesit të seancës dhe të gjithëve ju, do të dalë nga tema e ditës. Keqardhja për mesazhet nga burgu 313. Jam shumë i bindur se ky grup parlamentar, do t’u jap besim grave, vajzave, dhe patjetër edhe atyre që janë të sëmurë nga marrëdhënia me fatin.  Mbylljen e kazinove, basteve sportive, që nga ndeshjet e futbollit e deri te garat e katërkëmbëshit e faunës botërore dhe basteve online. Nga 1 janari nuk ka asnjë lloj basti, lotoje në zonat e banuara. Kazinotë do të jenë të mundura vetëm për hotele me 5 yje. Jam shumë i keq ardhur që një pjesë e deputetëve, dhe posaçërisht deputetët e Komisionit të Financave dhe të Ekonomisë, janë kthyer në një shënjestër të e një sulmi vulgar, të orkestruar nga burgu 313”, deklaroi Rama.  

Kryeministri Edi Rama duke folur në seancën e Parlamentit

Kryeministri iu kundërpërgjigj edhe qëndrimeve të opozitës, duke deklaruar se PD-ja ka zgjedhur të bëhet palë me bastet. “Ata që sot mungojnë këtu, janë në krahun e tyre që janë on-line. Personalisht, lideri legjendar i PD-së ka marrë dhe mban anën e tyre”, deklaroi ndër të tjera kryeministri.

Edhe pse akuzat e opozitës se do të ketë aktivitet të basteve online, i cilëson si shpifje, Rama ka deklaruar gjatë fjalës së tij, e kjo çështje është disi komplekse, duke lënë hapur shtegun që ky aktivitet të vazhdojë, gjersa Qeveria t’i gjejë ndonjë zgjidhje.

Ndërsa ka dalë kundër idesë së propozuar nga brenda Qeverisë, kjo e pasqyruar edhe në relacionin që shoqëron projektligjin, që të krijohet një monopol shtetëror për bastet.

“Me mirëkuptimin që sa i përket On-line, i cili është një drejtim shumë kompleks. Do të arrijmë një një konkluzion të studiuar dhe do mund të kemi një diskutim të mëvonshëm. Ka diskutime sa i përket idesë për një monopoli shtetëror, por që sot unë personalisht jam kundër, por jam i hapur për propozime.  Gjithsesi, do të ketë diskutime të mëtejshme. Por, në 1 janar nuk do të ketë asnjë lloj basti në asnjë zonë të banuar. Është spekuluar për spostim në periferi, por jo. Kazino do të ketë vetëm në resorte me 5 yje, në zona të definuara me vendim të qeverisë. Asnjë lëshim në asnjë hapësirë tjetër. Është fatkeqësi që ata që sot mungojnë këtu (opozita) janë në krye të atyre që po luftojnë dhe po agresojnë deputetët e mazhorancës me mesazhe”, deklaroi Rama

Pas këtij diskutimi, Rama kërkoi që ky projektligj për mbylljen e kazinove të miratohet sa më shpejt.

“I bëj thirrje kreut të grupit parlamentar dhe kreut të Kuvendit që ta përshpejtojnë këtë procedurë dhe të shkojë më shpejt mesazhi tek qytetarët se kjo punë është e mbyllur. 700 milionë euro qarkullim vjetor që i shkon lumit dhe llumit, ndërkohë që do i kthehet arkës së shtetit dhe do i shkojë konsumit të shëndetshëm familjar”, shtoi Rama.

Pas këtij apeli, Kuvendi votoi që ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar projektligjin “Për Lojërat e Fatit”. Kjo u votua me 74 vota pro nga deputetët e maxhorancës.

“I bëjmë thirrje opozitës që seancën e ardhshme të jetë në Kuvend, sepse nuk ka gjë tjetër për të humbur. Dua të denoncoj sulmet e patolerueshme me backround të pastër politik, me mesazhe ndaj pothuajse gjithë deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste sapo qeveria ka paralajmëruar këtë masë” u shpreh kryetari i grupit të PS-së, Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë