Politike

Bastet letër Ruçit: E padrejtë! Po mbyllemi ne, të hapet një tjetër

Tre kompanitë e basteve sportive që preken nga vendimi i Qeverisë për të mbyllur aktivitetin e tyre ndjehen të diskriminuara me ligj. Në një letër dërguar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kompanitë Top Sport, Lottosport dhe ITSGA kërkojnë nga Parlamenti që të dëgjojë propozimet e tyre si grup interesi.

Tre kompanitë thonë se ndaj tyre është shkelur ligji “për njoftimin e konsultimit publik”.

“Ne si grup i drejtpërdrejt interesi as nuk u njoftuam dhe as u thirrëm në konsultë asnjëherë nga ana e Këshillit të Ministrave, apo Ministrave përkatës, në asnjë prej hapave që ky projektligj ndoqi deri në miratimin e tij me Vendim të Këshillit të Ministrave”, thonë kompanitë në letrën e tyre.

Më tej, në letër përmendet shifra prej 45 milionë eurosh, që industria e basteve sportive dhe basteve me gara paguan në buxhet si taksa dhe më pas flitet për shkelje të Kushtetutës. Sipas kompanive të basteve, atyre po u lihet vetëm 2 muaj kohë që të ristrukturohen e t’i përshtaten ligjit të ri, ndërkohë që për kazinotë u la 3 vite kohë, duke nisur nga 2015 deri në 2018.

“Ky është trajtim i pabarabartë përpara ligjit pasi, ndërsa një degë e industrisë së lojrave të fatit i lihet një afat mbi tre vjet për t’u reformuar/ndryshuar/përshtatur apo mbyllur, degës tjetër të ngjashme me të i lihet vetëm 2 muaj dhe kjo bie ndesh me parimin kushtetues, i cili përcakton që ligjet duhet të jenë të barabartë për të gjithë”, thuhet në komunikatë.

Një tjetër padrejtësi e bërë ndaj tyre, sipas kompanive, është trajtimi selektiv, ku një pjesë e sektorit të industrisë së lojërave të fatit do të vazhdojë të ekzistojë dhe një pjesë tjetër jo.

“Nga tetë kategori lojërash fati që licencohen aktualisht në Republikën e Shqipërisë, vetëm 3 prej tyre do të pushojnë së ekzistuari pas 31 dhjetorit të 2018-ës, bastet sportive, bastet për gara në pistë dhe kazinotë elektronike”, deklarojnë kompanitë.

Padrejtësia tjetër, e për të cilën thonë se është dashakeqe, tri kompanitë në fjalë vërejnë edhe vendimin për pezullimin e aktivitetit të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, duke mos u dhënë mundësi që të përshtaten dhe të ndryshojnë licencën.

“Vendimi për pezullimin e aktivitetit të AMLF, na e bën të pamundur ndryshimin e liçencës nga baste sportive dhe në pistë, në “lojëra elektronike në distancë”. Ne e vlerësojmë këtë si një akt antikushtetues që bie ndesh me parimin kushtetues të lirisë ekonomike dhe deformon parimin e tregut të lirë, të dyja këto të shprehura në nenin 11 të Kushtetutës. Kjo është një nismë ligjore që synon të grabisë tregun e kompanive tona dhe t’ja japë llokum ate kompanisë së vetme që do të ketë liçencën e basteve online pas datës 1 Janar 2019. Pra me fjalë të tjera një grabitje me ligj në dëm të një pale dhe në përfitim të një pale tjetër”, thuhet më tej.

Tri kompanitë paralajmërojnë se ligji në fjalë do të ketë pasoja për ekonominë vendase duke orientuar klientët e bastoreve drejt lojës online në kompani që transferojnë fitimet jashtë vendit, e për më tepër që nuk do të paguajnë asnjë taksë në buxhetin e shtetit.

“Mbyllja e pikave të basteve nuk do të ishte asnjëherë zgjidhje për plagët që kumari shkakton, aq më tepër kur në momentin e parë që këto do të mbyllen, vendin do ta zëjë direkt një formë tjetër basti e cila do të mbarte të gjitha “mëkatet” që ka industria jonë, por për më tepër do të punësojë dhjetra herë më pak të njerëz, do të paguajë dhjetra herë më pak taksa dhe do të transferojë jashtë vendit dhjetra, e pse jo dhe qindra milionë Euro që sot qarkullojnë në ekonominë shqiptare”, deklarojnë kompanitë.

Në fund, Lottosport, Top Sport dhe ITSGA kërkojnë që të dëgjohet propozimi i tyre për reformimin e lojërave të fatit

“Ne besojmë se fillimi i një procesi bashkëpunues mes operatorëve dhe strukturave shtetërore përkatëse, nëpërmjet një axhende të qartë, ligjore, sociale dhe ekonomike do të ishte një fillim i mirë për zgjidhjen e çështjes së efekteve sociale që industritë e lojërave të fatit shkaktojnë. Në fund të tij ne do të kemi një strukturë bashkëkohore funksinimi e cila në të njëjtën kohë, do të menaxhojë këtë aktivitet dhe do ta pilotojë atë në një forme dhe funksionim më etik, në përputhje me parametrat bashkekohore demokratikë”, mbyllet letra e kompanive drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë