Sport

Bastet kërcënojnë garat sportive në SHBA

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara shfuqizoi një ligj federal që u ndalonte shteteve të veçanta vendimmarrjen mbi legalizimin, ose jo të basteve sportive. Kjo do të thotë se pas këtij verdikti, shtetet kanë dorë të lirë që të zgjedhin nëse do ta legalizojnë këtë industri, apo jo.

Pjesa më e madhe e shteteve federative e shohin këtë si një mundësi për të siguruar më shumë të ardhura në buxhetet e tyre të kufizuara nga ligjet federale dhe kanë deklaruar se po mendojnë legalizimin e basteve, që deri më sot ishin monopol i shtetit të Nevadas, me kryeqendër Las Vegasin.

Megjithatë, ka disa pikëpyetje që lindën menjëherë. Shoqatat dhe federatat sportive amerikane kanë kërkuar që të mos u lihet krejtësisht në dorë shteteve, por të përcaktohet nga Kongresi një tjetër ligj federal mbi mënyrën e funksionimit të basteve sportive.

Kërkesën ata e argumentojnë me mbrojtjen e integritetit të lojës nga trukimet dhe ndërhyrjet kriminale që do të fiksonin rezultatet sportive për hir të basteve.

Gjithashtu, këto organizma kërkojnë që të përfitojnë një përqindje të taksave që do të mblidhen nga industria e basteve nga shtete të ndryshme. Propozimi është 1 për qind e tyre, por gjasat janë që nëse nuk ndërhyn Kongresi, shifrat të jenë shumë më poshtë.

Nju Jorku, një ndër shtet që thotë se është duke përgatitur legjislacionin për lejimin e basteve, ka propozuar 0.25 për qind të taksave vjetore të grumbulluara nga kjo industri që do të ndahet për federatat sportive, në bazë të peshës që ato do të kenë në tregun e ri.

Por ka edhe nga ato shtete që e kanë bërë të qartë që në fillim se nuk kanë ndërmend që të paguajnë asnjë kacidhe nga taksat e basteve për federatat e shoqatat sportive. Një prej tyre është Virxhinia Perëndimore.

Një rivëne e topit në lojë gjatë një ndeshjeje në futbollin amerikan, NFL

Vendimi është mirëpritur nga pjesa më e madhe e klubeve në ligën e basketbollit, NBA dhe atë të futbollit amerikan, NFL, dy sportet më popullore në SHBA. Presidentët e skuadrave në të dy këto sporte thonë se gjasat janë që bastet të dyfishojnë të ardhurat për klubet e tyre, por paralajmërojnë për shkatërrim të garës së ndershme sportive nëse Kongresi nuk ndërhyn për të rregulluar një treg që mund të shndërrohet shpejt në kaotik.

“Kongresi është në dijeni të rrezikut të përhershëm që u kanoset sporteve dhe integritetit të lojës nga industria e basteve. Duke e ditur këtë, ne synojmë që t’u drejtohemi ligjvënësve federalë për të vendosur një rregullator që do të jetë bërthama e veprimtarisë së basteve sportive në të gjitha shtetet amerikane. Do të sigurohemi gjithashtu që të garantohet integriteti i lojës dhe të paraprihen risqet që në të ardhmen shtete të veçanta të mos ndërmarrin vendime që dëmtojnë këtë integritet”, deklaroi për CNBC, zëdhënësi i NFL-së, Brian McCarthy.

Një ligj federal kërkon edhe NBA.

“Mbështesim një ligj federal që do të mundësojë një përgjasje uniforme në të gjitha shtetet që zgjedhin të legalizojnë bastet. Do të punojmë ngushtë edhe me ligjvënësit e shteteve të veçanta në këtë drejtim”, thotë Komisioneri i NBA, Silver Freeman.

Nisja e basteve përtej Las Vegasit në shumë shtete mund të kërkojë disa muaj kohë, por ka nga ato që janë shprehur të gatshme. Nju Xhersi duket se është më pranë legalizimit. Kompania britanike basteve, William Hill ka deklaruar se synon që të hapë filialet e saj në këtë shtet për finalet e NBA, që nisin më 31 maj.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë