Politike

Bastet, Berisha: Monopol i Olsi Ramës. Meta, pro mbylljes

Nisma e qeverisë për mbylljen e pikave të basteve sportive dhe kazinove është “beteja” e radhës mes maxhorancës dhe opozitës. Ish-kryeministri Sali Berisha nëpërmjet një postimi në Facebook akuzoi kryeministrin Edi Rama se po krijon monopolin e lojërave të bixhozit.

Nëpërmjet denoncimeve të qytetarit dixhital që mbërrijnë te adresa e tij në rrjetet sociale, ish-kryeministri publikon mesazhin e radhës, ku denoncohet krijimi i këtij monopoli.

“Mbyll 9 mijë pika dhe hap online me celular 1.000.000 pika te reja bixhozi. Tmerr! Qytetarët dixhital denoncojnë vëllezërit Rama.  Unë jam një punonjëse administrate dhe dua ndaj me ju këtë gjurulldinë e ditëve të fundit. Zërat dhe bindjet janë për Monopolin e basteve që po krijon Edi Rama për të vëllanë, Olsi Rama. Është kaq arbitrare mbyllja e kësaj industrie për ta përqendruar në duart e familjes mbretërore . Ndoshta ju mund t’i jepni zë dhe të ndaloni koncesionet që do të rrënojnë ekonominë shqiptare dhe që janë bërë model monopolizimi nga familja kryeministrore. Kaq shumë të papunë sa shtohen përditë vetëm që njerëzit të luajnë bixhoz online me Olsin”, thuhet në postimin e ish-kryeministrit.

Postimi i ish-kryeministrit Sali Berisha në Facebook

Më tej në këtë postim, Berisha nxjerr një mesazh të dytë ku një qytetar anonim shprehet se prapa këtij monopoli që aludohet qëndron edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako dhe vëllai i kryeministrit, Olsi Rama, si dhe kompania e Bast Arena.

“Me gjithë këtë lojën e mbylljes së pikave të basteve, mbrapa fshihet Vangjush Dako, Olsi Rama dhe Gaz Demi. Dritan Jeminaj është figura që kanë vënë për administrator të kompanisë me. nipt L71904512F, dhe disa ortakeeve kukulla nga Turqia. Po zhduken nga tregu të gjithë biznesmenët, jo për të shpejtuar popullin nga lojërat e fatit, po për t’i përqendruar paratë vetëm ne xhepat e Edi Ramës dhe të vëllait.  Pas mbylljes së basteve sportive dhe kazinove në Shqipëri qëndron një kompani turke, e quajtur Bastarena, e cila ka vetëm 1 muaj që është licencuar në Shqipëri, kompania ka dhe një ueb sportiv Eduasportin që po namin me reklama, pronarët e Bast Arenës janë të gjithë turk, por nuk ka shumë informata, mbas 1 janarit kompania në fjalë do ketë monopolin e plot të basteve”, thuhet në mesazhet e publikuara nga Berisha.

Pas këtij postimi ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka hedhur poshtë akuzat e lëshuara nga ish-kryeministri Sali Berisha.

“Saliu u del për zot basteve, partia e vet i del kundër kontrollit mjekësor bazë FALAS. Këto janë dy fytyrat kuptimplota të një opozite që ka humbur bastin me të ardhmen dhe ka mbetur peng i një politike të dëshpëruar dyfytyrësie e shterpësie të ububujshme. Bastet vdiqën Sali”, shkruan Rama.

Meta pro mbylljes së basteve

Pro mbylljes së pikave basteve sportive në qendrat e banuara është shprehur edhe presidenti i vendit, Ilir Meta.

Qëndrimi i Metës u bë gjatë vizitës që zhvilloi në  fabrikën “City Tex” në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Zhdukjes së Varfërisë. Kjo ditë, sipas kreut të shtetit,  duhet të na shërbejë si një reflektim dhe “kambanë alarmi” për të gjithë, për më shumë përpjekje në luftën kundër kësaj plage të madhe të njerëzimit dhe shoqërisë tonë moderne.

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës së sotme në biznesin fason

“Edhe më parë kam mbështetur këtë lloj aktiviteti, për shkak se është një mundësi shumë e mirë për të integruar gratë dhe vajzat në tregun e punës. Ndaj dhe jam sot këtu te ky biznes social i mrekullueshëm, që po jep kontribut për të luftuar varfërinë, për të integruar gratë dhe vajzat në tregun e punës si dhe për të siguruar të ardhura të qëndrueshme për dhjetëra familje”, – tha Presidenti Meta.

Gjatë fjalës së mbajtur, ai theksoi se mbështetja e këtij sektori është zgjidhje për të luftuar varfërinë dhe për t’i larguar shqiptarët nga veset e këqija.

“Duhet të mendojmë të gjithë në këtë drejtim, që të kemi një shoqëri më të shëndetshme. Nuk mund të jetë zgjidhje as nxitja e kanabisit apo forma e “aventura” të tilla, që e dimë se sa shumë i kanë kushtuar vendit dhe familjeve shqiptare. Janë mijëra njerëz që janë nëpër burgje, strese pa fund, e shkatërrime familjesh që ka prodhuara ky fenomen. As bastet nuk janë zgjidhje për të shpëtuar nga varfëria, por vetëm puna e qëndrueshme, me standarde, me përgjegjshmëri të tillë sociale që ne duhet ta nxisim më shumë duke motivuar dhe duke mbështetur ata investitorë të cilët e tregojnë këtë me shembuj konkretë. Lufta kundër varfërisë, nuk zgjidhet as me një thes me miell. Natyrisht çdo kontribut, çdo bamirësi është pozitive, por rruga e sigurt dhe e qëndrueshme është rruga e integrimit në tregun e punës.  Kjo është e vetmja rrugë që secili të ketë një jetë të qetë, një jetë të sigurt dhe të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të familjes së tij dhe komunitetit ku bën pjesë. E ardhmja e Shqipërisë janë këto aktivitete, janë shërbimet, por në mënyrë të veçantë janë turizmi, bujqësia dhe agroturizmi”- theksoi Presidenti.

Qeveria shqiptare ka miratuar projektligjin për mbylljen e kazinove dhe pikave të basteve brenda 31 dhjetorit 2019. Kryeministri i ka cilësuar këto pika lotosh si mortje që po rrënojnë shoqërinë dhe familjet shqiptare.

Vetë Rama, duke kërkuar ndjesë e nuk i mbylli katër vite më parë, e gjeti fajin tek aleati i saj në qeverisje, LSI-ja. Sipas tij kjo ishte arsyeja se nuk u mbyllën kazinotë dhe pikat e basteve gjatë mandatit të parë të qeverisjes, duke fajësuar partinë që në atë kohë drejtohej nga presidenti aktual, Ilir Meta.

Por me këtë qëndrim të  fundit, presidenti veç qenies pro mbylljes së këtij aktiviteti të lojërave të fatit, duket se po jep sinjale të qarta që nuk do të bëhet pengesë në dekretimin e ligjit, kur t’i mbërrijë mbi tryezë për dhënie firme.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë