Para

Bashkitë, Buxheti i ri me problematika të vjetra

Sabina Veizaj - Torta e parave që Pushteti Qëndror i alokon pushtetit vendor nga buxheti i shtetit për 2019, sipas projektbuxhetit të vitit të ardhshëm arrin vlerën e 24,9 mln lekëve. Ky fond në buxhetin e 2018-ës ishte gati 17 mln lekë. Megjithëse me rritje, sipas ekspertëve të pushtetit vendor, nuk zgjidh asgjë nga problematikat e vjetra.

Për Merita Toskën eksperte e financave vendore ne Coplan, buxheti për bashkitë nga Qeveria Qendrore, nuk sjell ndryshim thelbësor këtë vit.

“Transferta e pakushtëzuar është pak më e lartë se vitin e kaluar, por nuk shlyen as detyrimet e prapambetura. Është thjesht ajo që siguron vazhdimësinë e ushtrimit të funksioneve.”- thotë Merita Toska për Gazetën “Si”.

Edhe për kreun e Shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali, buxheti i ri mbart të njëjtat probleme të vjetra.

Duke iu referuar projektbuxhetit të 2019-ës, Transferta e Pakushtëzuar përbëhet nga Pjesa e Përgjithshme dhe pjesa sektoriale. Pjesa e përgjithshme përcakton se madhësia e transfertës së pakushtëzuar për vitin 2019 është 1% ( po aq sa në projektbuxhetin e 2018-ës) e Produktit të Brendshëm Bruto , që rezulton të jetë 17.5 miliard lekë; dhe pjesa Sektoriale prej 7.4 miliard lekë.

Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2019, që rezulton nga përcaktimi ligjor i madhësisë minimale prej 1% të PBB-së ose prej 17.5 miliard lekë, do të shtohen edhe fondet prej rreth 7.4 miliard lekë, për financimin e funksioneve të reja të cilat për periudhën 2016-2018, janë financuar nëpërmjet transfertave specifike. Duke filluar nga 1 janari 2019, transfertat specifike kthehen në transferta të pakushtëzuara sektoriale të cilat përdoren në autonomi nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Në përfundim, për vitin 2019, transferta e pakushtëzuar do të jetë 24.9 miliard lekë.

Ndërsa, stoku i borxhit të Qeverisjes Qendrore është 1 091 684 milionë lekë. Stoku i borxhit të garantur nga Qeverisja Qendrore arrin në 55 085 milionë lekë dhe stoku i borxhit të qeverisjes vendore 1 153 milionë lekë.

Agron Haxhimali, Kr i Shoqatës së Bashkive

Përballë kësaj panorame financiare, Haxhimali thotë se ky buxhet paraqet shumë dobësi pasi nuk zgjidh problematikat e vjetra. Për të, Buxheti 2019 nuk zgjidh problemin e shlyerjes së plotë të detyrimeve të prapambetura të trashëguara të njësive të qeverisjes vendore, pavarësisht faktit se janë alokuar 1.153 miliardë lekë më shumë si transfertë e pakushtëzuar.

“Sektori i arsimit nuk merr financimin e projektuar në programin e qeverisë prej 5% të PBB-së, por qëndron në nivelin 3.4% të PBB-së për 2017. Fondi për Zhvillimin e rajoneve sërish nuk bëhet pjesë e transfertës së pakushtëzuar të Njësive të Qeverisjes Vendore, edhe pse ka disa hapa pozitivë në këtë drejtim të përcaktuara në buxhetin 2019. Ndërsa funksionet e reja mbeten përsëri me buxhet të pamjaftueshëm për tu realiziuar në kushte optimale.”- thotë kreu i Shoqatsës së Bashkive Haxhimali.

Nëse vërejmë fondet e alokuara për bashkitë, bashkia Pustec rezulton me shifrën më të ulët prej 52 mijë lekësh, e ndjekur nga bashkia Libohovë prej 72 mijë lekësh dhe ajo e Konispolit prej 95 mijë lekësh.

Bashkia Tiranë është më e financuara nga qeveria qendrore me shumën prej 3,5 mln lekësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë