Analize

Bashkitë aspak eficente, raporti: 70% e financave vendore shkojnë për paga dhe administratën

Raporti i Financave Vendore për vitin 2019, i hartuar nga Coplan dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregon se pjesa dërrmuese e fondeve që bashkitë kanë në dispozicion, përdoren për paga dhe shpenzime të tjera operative dhe shumë pak shkojnë për investime për qytetarët. Kështu, sipas të dhënave të www.financatvendore.al, për çdo 100 lekë të shpenzuara nga pushteti vendor, 71 lekë shkojnë për mbulimin e shpenzimeve korrente, ku përfshihen paga dhe shpenzime të tjera të administratës dhe 29 lekë shkojnë për investime.

Reforma territoriale administrative e vitit 2014 kishte ndër synimet kryesore eficiencë më të lartë në përdorimin e fondeve nga pushteti vendor. Por pesë vite më pas, të dhënat tregojnë se paratë e taksapaguesve shqiptarë ende nuk përdoren si duhet. Të dhënat e raportit të Financave Vendore tregojnë se në vitin 2019, numri total i punonjësve në 61 bashkitë në vend ishte afërsisht 32.213 punonjës. Bashkia e Tiranës llogaritet të ketë numrin më të lartë të punësuarve, me rreth 19.6% të të punësuarve total, ndjekur nga Bashkia e Durrësit me rreth 5% të tyre. Në Bashkinë e Elbasanit dhe Fierit janë të punësuar respektivisht 4.1% dhe 4% e të punësuarve total në nivel bashkie.
Nga i gjejnë paratë bashkitë
Gjatë vitit 2019 bashkitë volën më shumë taksat dhe tatime. Totali i të ardhurave që bashkitë grumbulluan me burimet e veta vendore (taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asete dhe të tjera) regjistruan një vlerë prej rreth 25.6 miliard lekë, në rritje me rreth 5.5% në terma vjetorë, ose rreth 1.4 miliard lekë më të larta nga niveli i regjistruar vitin e mëparshëm.

Kjo rritje duket se ka ardhur qoftë nga rritja e taksave, por qoftë nga mbledhja e sa nëpërmjet faturave të ujit. Bashkitë janë të varura nga dy taksa të vetme: taksa e ndikimit në infrastrukturë, që është e lidhur me lejet e ndërtimit dhe taksa e pronës, që paguhet nga qytetarët për banesat e tyre dhe bizneset, për ambientet ku ushtrojnë aktivitet. Nga këto dy taksa mblidhen 85.5% e totalit të të ardhurave të pushtetit vendor.

“Në tre vitet e fundit, performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elementë: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall). Ndërkohë që pesha e kësaj të fundit është tkurrur, pesha e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtime të reja është rritur me ritme të përshpejtuara. Në vitin 2019, këto dy lloje taksash përfaqësuan 85.8% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore. Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan tkurrjen edhe përgjatë vitit 2019. Gjithashtu, seria e të dhënave për taksat vendore përjashtuar Bashkinë Tiranë tregon për një prirje rritëse të moderuar të të ardhurave nga taksat vendore për 60 bashkitë përgjatë periudhës 2010-2019”, thuhet në raport.
Si i shpenzuan bashkitë paratë?
Prej prej vitit 2015, treguesi i shpenzimeve të bashkive të kryera me fonde të veta ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto shënoi rritje nga rreth 2.3% në 3.3% në fund të vitit 2019. Sipas raportit të Co-Plan, qeverisja vendore harxhon 71% të burimeve financiare totale për mbulimin e shpenzimeve korrente dhe rreth 29% për shpenzime kapitale (investime).

Sipas raportit, në fund të vitit 2019, mjetet financiare të kanalizuara nga 61 bashkitë në vend, regjistruan një vlerë prej rreth 85.1 miliardë lekë, shifër kjo rreth 4% më e lartë se ajo e regjistruar në vitin e shkuar. Përjashtuar shpenzimet e kryera me fonde të trashëguara nga viti i mëparshëm, rezulton se bashkitë kanë shpenzuar në vitin 2019 rreth 81.1 miliardë lekë, rreth 0.6% më shumë se një vit më parë. Shpenzimet me fondet e veta të bashkive regjistruan një nivel prej rreth 55.9 miliardë lekë në fund të vitit 2019, duke shënuar një rritje prej 15.7% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Shpenzimet e kryera me fonde të kushtëzuara shënuan një vlerë prej rreth 29.6 miliardë lekë, në ulje me rreth 4.2 miliardë lekë në terma vjetorë apo me rreth 12.6%. Në terma strukturorë, rreth 65.4% e shpenzimeve u krye me fonde të veta, ndërsa 34.6% e tyre me fonde të kushtëzuara.
Shpërndarja e shpenzimeve sipas funksioneve të ushtruara nga qeverisja (vendore apo qendrore) tregon sesi qeverisja vendore dhe ajo qendrore ndajnë mes tyre ushtrimin e funksioneve dhe të kompetencave. Duke përjashtuar mbrojtjen, si një funksion i ushtruar ekskluzivisht në nivel qendror, në funksionet e tjera pesha e qeverisjes vendore rezulton ndjeshëm më e ulët se ajo e qeverisjes qendrore.

Bashkitë ushtrojnë kompetenca më të zgjeruara në funksionin e strehimit dhe komoditeteve të komunitetit (rreth 45.7% e shpenzimeve kryhet nga qeverisja vendore) dhe në funksionin e argëtimit, kulturës dhe çështjeve fetare (rreth 39.0% e shpenzimeve kryhet nga qeverisja vendore). Gjithashtu, në vitin 2019 rreth 63% e shpenzimeve në funksionin e mbrojtjes së mjedisit u krye nga qeverisja vendore.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë