Lajme

Bashkia Kamëz i vendos një rruge emrin “Ramush Haradinaj”

Bashkia Kamëz tashmë do të ketë një rrugë me emrin “Ramush Haradinaj”. Ky është vendimi i marrë nga Bashkia Kamëz, pasi kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj dha dorëheqjen një ditë më parë, për shkak se është thirrur nga Gjykata Speciale.
Disa vite më parë Bashkia e Kamzës e ka shpallur kryetarin e AAK, “Qytetar Nderi”. Në një njoftim të shpërndarë për mediat, Bashkia Kamëz vlerëson aktin e Haradinajt dhe deklaron se tregoi jo vetëm profilin e tij prej shtetari, por njëherazi vendosi të sakrifikojë nga vetja për Kosovën dhe kombin shqiptar.
“Ramush Haradinaj me dorëheqjen e djeshme tregoi të qenit një shtetar i vërtetë, pasi që është një patriot dhe atdhetar këtë e ka treguar çdo dite të jetës së tij. Haradinaj tregoi se sakrifikon nga vetja për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës për gjithë Shqiptarinë. Me dorëheqjen prej një burri të vërtetë shteti tregoi se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se sa herë të kërkohet do të shkojë para drejtësisë jo si kryeministër i Kosovës, por si Ramush Haradinaj”, thuhet në deklaratën e bashkisë Kamëz.
Më tej në deklaratë theksohet se mbështetja për figurën e Haradinajt.
“Kujtojmë që tashmë Ramush Haradinaj është njëri prej nesh për thjeshtësinë që e karakterizon, por edhe se ai është Qytetar Nderi i Kamzës si dhe prej sot një prej rrugëve mban emrin e tij. Jemi me ty Ramush, të bindur në pafajësinë tënde dhe misionin tënd për lirinë e Kosovës dhe Shqiptarisë”, thuhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë