Nga Gazeta ‘Si’- Në mbledhjen që zgjati një orë në selinë rozë, kryeministri Edi Rama ka ndarë detyrat për kryeqytetin.
Sipas burimeve nga mbledhja, puna në bashkinë Tiranë do të ndahet në blloqe, me përfaqësues të këtij institucioni, deputetë dhe ministra.
Hapësira publike, parkingjet, shërbimet dhe lejet e ndërtimit, mësohet se janë katër pikat për të cilat Rama ka kërkuar mobilizim të veçantë.
Ministrat do të kenë rol më të shtuar, sepse duhet të ndihmojnë me problematikat. Përshembull, në rast se ka probleme me financat, ndërhyn Ministria e Financave, me ujësjellësin ajo e Infrastrukturës, e me radhë.
Për hapësirat publike do kujdesen posaçërisht kryetarja e komanduar e bashkisë Tiranë Anulea Ristani dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.
Për problematikat me trafikun, do të angazhohet ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe Ervin Hoxha, ministri i Brendshëm.
Ministri për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku dhe Ristani, fokus të shtuar te burimet e bashkisë ndërsa me pjesën e financave do merren ministri Petrit Malaj dhe Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.
Mësohet po ashtu se kreu i qeverisë u ka kërkuar të pranishmëve në mbledhje që të angazhohen në terren duke takuar qytetarët. Takimin e radhës e ka caktuar 2 javë më vonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.