Futboll

Bashakshehir-PSG, në fushë “zbresin” edhe Erdogan dhe Makron

Në pamje të parë është një transfertë e thjeshtë ajo e PSG-së sot në fushën e Bashakshehirit në Champions, një ndeshje si shumë të tjera. Po ashtu, është e lehtë të bësh edhe parashikimin, duke parë diferencën e madhe të talentit në fushë mes yjeve si Nejmar e Mbape dhe “anonimëve” Demba Ba dhe Kriveli. Në realitet, ndeshja e vërtetë ka nisur disa ditë më parë jashtë terrenit të lojës.

Bashakshehir-PSG luhet sot në mbrëmje, por skena më shumë se e dy klubeve kampionë në vendet e tyre, është ajo e duelit diplomatik mes dy kryeqyteteve. Mbi të gjitha, mes dy presidentëve që urrehen: Rexhep Taip Erdogan dhe Emanuel Makron. Gjithçka ndodh në sfondin e përplasjes në lidhje me islamizmin dhe islamofobinë, por edhe për luftërat e influencës në Mesdhe, në Bosfor, madje edhe në Siri dhe në Libi. Së fundi ka pasur edhe një apel nga Turqia për të mos blerë produkte franceze nga vendet myslimane, kurse Parisi ka tërhequr ambasadorin.

Erdogan dhe Makron. Gazeta Si, 28 tetor 2020

Për të gjitha këto, edhe fati i Tomas Tuhel, në fije të perit pas humbjes në shtëpi ndaj Mançester Junajtid, kalon në plan të dytë. Faji është i deklaratave të fundit të Erdoganit, i cili e ka quajtur “të sëmurë mendor” Makronin, fajtor sipas tij, për nxitjen e islamofobisë. Një deklaratë që erdhi pasi presidenti francez tha se Franca nuk do të dorëzohet para obskurantizmit të promovuar nga ekstremistët e një islami të dhunshëm.

E ka thënë këtë gjatë fjalimit për nderimet kombëtare ndaj profesorit Samuel Paty, i sulmuar për vdekje në rrugë më 16 tetor nga një 18-vjeçar, një terrorist islamist me origjinë çeçene, pasi kishte treguar në klasë një karikaturë satirike të Muhamedit gjatë një leksioni për lirinë e shprehjes. Një ngjarje që nuk është dënuar nga Turqia, të paktën deri dje.

Erdopgan me fanellën e Bashakshehirit. Gazeta Si, 28 tetor 2020

Natyrisht, edhe Bashkimi Europian është pozicionuar në krah të presidentit francez në një debat që i ka rrënjët të thella dhe që doli më shumë në pah gjatë mandatit të Nikolas Sarkozi. Ky i fundit ishte kundër hyrjes së Turqisë në BE, duke e shtyrë Erdoganin të bënte liderin e islamit politik mes Europës dhe Lindjes së Mesme. Një rol i shfrytëzuar për të shtrënguar Brukselin në administrimin e fluksit të emigrantëve nga Siria dhe Libia.

Kohët e fundit Erdogan ka bërë një politikë agresive jo vetëm në Azinë qendrore, në konfliktin e ri mes Armenisë që mbështetet nga perëndimorët dhe Azerbajxhanit që mbështetet nga turqit, por edhe në Mesdhe, ku Makron ka dërguar anije luftarake për të mbikëqyrur ato turke, që kërcënonin ujërat territoriale greke, në kërkim të burimeve të naftës, edhe pse të dy vendet janë pjesë e NATO-s.

Akti i fundit i zënkës mes dy liderëve, në sfondin e luftës ndaj terrorizmit, propozohet nga kalendari i futbollit. Aq më tepër kur dihet që Bashakshehiri është klubi më i ndjekur i Stambollit, i lançuar pikërisht nga Erdogan, i cili në të kaluarën ka qenë një futbollist gjysmë profesionist, para se të bëhej kryebashkiak i kryeqytetit.

ashakshehiri feston një gol. Gazeta Si, 28 tetor 2020

Kampionët e Turqisë, të drejtuar nga Buruk, janë më mes të renditjes aktualisht. Sot ata do të ndeshen me klubin që është në pronësi të emirit të Katarit, një mik i Turqisë, por që përfaqëson më shumë se të gjithë Francën në nivelin ndërkombëtar. PSG-ja nuk ka parashikuar masa sigurie shtesë, edhe pse e di që për të nuk është një ndeshej si të tjerat, sepse në fushë zbresin edhe liderët e politikës, Erdogan dhe Makron.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë