Lajme

Basha: Vendimi për mandatet ekstrem, kriza do zgjidhje akute

“Arti në mbrojtje të Demokracisë dhe të Interesit Publik” ishte aktiviteti i organizuar nga ana e Partisë Demokratike me Aleancën në Mbrojtje për Teatrin, që kishte si synim vendosjen e një bashkëpunimi mes PD-së dhe grupeve të ndryshme të interesit. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar si shembull frymëzimi protestën e “Aleancës” që nuk u dorëzua duke kundërshtuar prishjen e Teatrit Kombëtar. Basha ka theksuar se kriza politike ne vend kërkon një zgjidhje akute.
“Duhet qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër dhe zgjedhje të parakohshme për daljen nga kjo krizë. Parlamenti, pushteti të jenë produkt i votës së lirë, dhe me procesin e qeverisjes të jenë nën kontroll për të mos u kapur nga interesa kriminale. Diskutimi nuk ndodh në eter, ndodh në mes të kësaj krize të thellë, ku qytetarët i janë përgjigjur thirrjes për protesta, për t’i dhënë fund cdo iluzioni e deluzioni të një regjimi që duhet të marrë fund e duhet t’i hapë rrugën një procesi llogaridhënie për të gjithë ata që asgjësuan procesin zgjedhor dhe shkaktuan këtë krizë. Ne duhet ta ndalim këtë i kemi të gjitha mundësitë ta ndalim, jemi të vendosur që mos e shohim thjesht si betejë për largimin e shkaktarit por si një mundësi për të reformuar të gjithë ato aspekte të bashkëjetesës demokratike, e për t’i dhënë fund çdo pengmarrjeje të qeverisë. Ka ardhur koha që me rastin e kësaj krize të gjithë bashkë të japim kontribut të mos mjaftohemi me kapërcimin e krizës së radhës po t’i japim fund këtij tranzicioni dhe të vendosim themelet e një shteti ku askush mos jetë në gjendje të kapë pushtetet dhe të braktisë paktin me qytetarët pa u përballur me pasojat që do të përballeshin në Europë. E thënë shkurt kur kemi një qeveri të kapur, si kudo kjo duhet të shkaktojë vënien e përgjegjësve para drejtësisë”, deklaroi kryedemokrati.

Më tej e bëri të qartë se elita e vendit duhet të japë kontributin e saj në këtë krizë të thellë që po kalon vendi dhe se djegia e mandateve ishte një përgjigje e opozitës ndaj thirrjes së qytetarëve.
Kompozitori Dizdari zbulon bisedën me Ramën për Teatrin
Në tryezën e opozitës, ishte i prezent kompozitori i njohur Limoz Dizdari, ish-deputet i PS-së. Në fjalën e tij ai zbuloi debatin që kishte me Ramën, në kohën kur ishte ministër i Kulturës, i cili që asaj kohe kërkonte prishjen e Teatrit Kombëtar. Ai ka qenë një ndër kundërshtarët e ashpër të prishjes së Teatrit.
“Atëherë kur Rama ishte Ministër i Kulturës donte ta prishte Teatrin, ishte legjitime, protesta e aktorëve ishte e madhe, duhet ta them se duhet ta dini, e kërkonte me insistim dhe unë e pyesja me ç’lekë do ta bësh se bie miu dhe thyen kokën, e ai më tha; Më ka premtuar qeveria greke dhe kryeministri i Greqisë që do ma japë lekë. Unë i thashë, që nga fshati yt, (Vunoi) është po ajo këngë që është në fshatin tim: Mblidhuni moj gra më qani burrin se unë po iki në dasmë. Për 17 vjet Teatri nuk u prish, kur Nano si politikan shumë i mirë, me gjithë ministrat donin të prishej, dhe do më mbushnin mendjen mua, ne si komision vendosëm që nuk do prishet, sherr nuk bëja me Bardhyl London, por debat”, theksoi Dizdari.

Ish-deputeti i PS duke folur në tryezën e organizuar nga opozita


Por ai shprehu pakënaqësinë se pjesa e mirë artistëve apo e njerëzve të Kulturës që kanë përfituar gjatë qeverisjes së PD-së nuk janë prezent për këtë kauzë. “Ca ndodh sot, Teatri po prishet, por këta oligarkët kanë mbirë edhe në brezin tuaj, do doja të ishte këtu Petrit Fusha që i ankohem se më është dëmtuar pronësia ime intelektuale, ca të bëj unë, të qaj?Do doja të ishte këtu, Çlirim Gjata, të na dëgjonte se ju ka përfaqësuar. Ka shumë oligarkë që flasin, po të kujt janë, nga ky database kanë dalë. Hallet e tua kryetar, janë shumë të mëdha, nuk di si do ta përballoni, por rruga që keni filluar shpresoj të jetë më e mira”, theksoi Dizdari.
Kompozitori i njohur e mbylli diskutimin e tij me fjalët “unë nuk kam qenë as në databasen tuaj as në ambasada, më ka mjaftuar vetja ime, unë vij me kënaqeesi, jo për të sharë qeverinë, se e kemi për detyrë të mos e shajmë, por për të thënë të vërtetat që ajo ca është dhe ca nuk është. Mollët e këqija duhen hequr dhe ato që sapo kanë filluar duhen pastruar”.


Të pranishmit në panel kontestuan qëndrimin se Teatri është prishur. Shkrimtarja Flutura Açka theksoi se “akti i fundit që duhet të ndërmarrin nëse tentohet të prishet Teatri është ai i lidhjes me zinxhir. Jemi të gatshëm të marrin vendime të tilla ekstreme”. Ajo u shpreh gatshme për të hartuar një platformë sa i përket problematikës së librit. Pedagogu Ervin Goci gjatë fjalës së tij kërkoi të drejtën referendare si një e drejtë e qytetarëve për të realizuar mbrojtjen e kauzave. Por kryedemokrati Lulzim Basha e cilësoi si të pamundur kryerjen e referendumit, pasi ligji ka mekanizma bllokues për ushtrimin e kësaj të drejte.

Kryedemokrati Basha

“E kemi shqyrtuar shumë herë mundësinë për referendum gjatë këtyre viteve dhe ekspertët tanë e kanë parë se është pamundur hyjnë afatet kohore, pra është i pamundur, rasti i fundit kur kërkuam referendum për hartën administrative territoriale. Një nga hapat është ndryshimi ligjit të referendumit. Pa prerë lidhjet e krimit të politikës nuk mund të ketë asnjë sukses për referendumin”, theksoi Basha.
Shkrimtari dhe publicisti Edmond Tupe u shpreh se “gjithë diktatorët kanë frikë nga Teatri, kur ai nuk u shërben interesave të tyre”.
“Qeveria aktuale, në personin e kryeministrit ka frikë nga teatri. Gjithë diktatorët kanë frikë nga teatri, kur ai nuk u shërben interesave të tyre. Sepse në teatër që në kohën e Aristotelit në teatër bëjmë katarsis. Spektatori bën katarsisin, pra zhvishet për të bërë katarsisin sepse nuk mund të shkosh i blinduar dhe të zhvishesh do të thotë ta shikosh veten lakuriq. Të shohësh veten lakuriq në kuptimin e figurshëm do të thotë të kuptosh sa vlen. Dhe kur ti e kupton që nuk vlen ti e urren vetveten. Kjo është për z. Rama “ u shpreh Tupja.
Në diskutimet që ngritën Besnik Aliaj dhe Rudi Erebara u fokusuan te ideja e ndryshimit të sistemit. Aliaj fajësoi partitë politike për marrëveshjen e 2008, ku dy liderët Rama dhe Berisha ndryshuan Kushtetutën.
Edhe sa i takon ndryshimit të sistemit, kryedemokrati mbajti të njëjtin qëndrim, ku theksoi se një gjë e tillë është e pamundur, pasi kjo mund të realizohet vetëm pas të shkëputen lidhjet e politikës me krimin, pasi në të kundërt ccdo sistem i mirë mund të kapet. Vetë Basha ka propozuar një sistem bikameral, me 100 deputetë, pra me Parlament dhe Senat.

 

Më Shumë