Tubimi i kësaj të diele e banorëve të Astirit riktheu Lulzim Bashën në krye të një proteste, për herë të dytë që pas 30 qershorit. Shkak u bë arrestimi dhe më pas mbajtja në burg e disa protestuesve të Unazës së Re.
Policia nisi ditën e premte arrestimet e protestuesve të Unazës së Re, duke argumentuar se kishin hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, që sipas uniformave blu kanë ashpërsuar dënimet për bllokimin e rrugëve.
Tre persona u arrestuan mbrëmjen e së premtes dhe tre të tjerë ditën e shtunë. Këtë të dielë, nga grupi prej gjashtë personash, Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë “arrest me burg” për tre prej tyre. Skënder Doda, Gramoz Shehu dhe Ilias Katiraj akuzohen si organizatorë të bllokimit të rrugës në Unazën e Re, në protestën që zgjat prej më shumë se një viti nga banorët e zonës.
Pas këtyre arrestimeve dhe me forca të shumta, policia ia kishte dalë mbanë që të mbante të hapur Unazën e Re në 2 ditët e fundit duke mos lejuar protestuesit që të bllokonin këtë aks, që prej një viti qëndron më shumë i mbyllur në orën 18:00 se sa i hapur për automjetet.
Por, në lidhje me këtë vendim ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Basha akuzoi gjyqtarin dhe prokurorin e çështjes se me urdhrin e Edi Ramës kanë lënë në burg tre prindër.
“Me urdhër të Edi Ramës, gjyqtari Arben Micko dhe prokurori Bledar Maksuti mbajtën sot në arrest tre baballarë mbahen në burg sepse mbrojnë shtëpitë e fëmijëve nga Hajduti Psiqik, Damian Lala dhe Taulant Yaris Bego që duan të vjedhin 40 milionë euro te Unaza e Re”, deklaroi Basha.
Në vend të tyre, Basha thotë se në burg duhet të ishin katër persona të tjerë.
“Sot Edi Rama duhej të ishte në burg për veprën kriminale të pastrimit të parave dhe ndërhyrjes me para të pista në fushatën e Presidentit Obama. Damian Lala dhe Taulant Yaris Bega duhet të ishin në qeli, bashkë me Sajmir Tahirin për aferat e tyre hajdutërore dhe bashkëpunim me narkotrafikantët”, vijon kreu i PD-së.
Basha shton se “me hajdutë në qeveri dhe njerëz të pafajshëm në burg, nuk ka Europë, as zhvillim, as drejtësi” dhe paralajmëroi pjesëmarrjen në protestën e banorëve të Unazës së Re në orën 18:00 këtë të diel.
Kreu i PD-së u tregua i përpiktë dhe në orën 18:00 iu bashkua banorëve protestues që deri në ato momente po mbaheshin larg rrugës nga forcat e shumta të policisë. Por, mbërritja e Lulzim Bashës shtoi radhët dhe guximin e protestuesve. Në këtë moment nisën fërkimet e para me policinë.
Policia ia doli mbanë që të mbante pjesërisht hapur dy kahet e rrugës për disa minuta, por përballë këmbënguljes së protestuesve, e kishte të pamundur që ta mbante gjatë hapur këtë aks. Banorët ia dolën mbanë që të mbyllin rrugën, ndërkohë që fjalën para tyre e mori edhe Lulzim Basha.
Basha akuzoi drejtpërdrejtë Edi Ramën jo vetëm për Unazën e Re, por leshoi edhe akuza të tjera në drejtim të tij.
“Pa u hetuar dhe pa u çuar para drejtësisë Edi Rama dhe gjithsecili prej bashkëpunëtorëve të tij nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri europiane. Këtë e kemi thënë prej fillimit ne demokratët, ne opozitarët, këtë sot e ka thënë me një gjuhë të qartë edhe Brukseli. Europa ka treguar se sa e drejtë dhe legjitime është kauza me të cilën nisi beteja e opozitës, beteja e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë”, tha Basha.
Kreu i PD-së shoqërohej në këtë protestë nga ish-deputetët Gent Strazimiri, Klevis Balliu dhe të tjerë zyrtarë të lartë demokratë.
Në mbyllje të protestës së banorëve të Astirit, policia ka shoqëruar ish-deputetin e PD Klevis Balliun dhe disa qytetarë. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për 6 qytetarë.
Ata janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, aty ku po shkojnë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike.
Basha ka reaguar pas ndalimit nga policia të ish-deputetit Klevis balliu dhe disa protestuesve nga policia. Duke e cilësuar këtë javë vendimtare për vendin Basha shkruan: “Nëse lajmet nga Brukseli janë negative, askush mos ta vërë në dyshim, ngjarje si kjo e sotmja janë shkaku”.
"Kjo është javë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë, kur do të vendoset nëse do të shkojmë përpara drejt Europës apo do të mbetemi ngecur në marshin indietro. Regjimi i Ramës vendosi ta tregojë sa i përkushtuar është ndaj vlerave Europiane të lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit, duke arrestuar dhunshëm protestues paqësorë. Nëse lajmet nga Brukseli janë negative, askush mos ta vërë në dyshim, ngjarje si kjo e sotmja janë shkaku. Por ne nuk do ti lejojmë të na mbyllin gojën e të na mbajnë peng, beteja do të vazhdojë pareshtur drejt destinit tonë: Shqipërisë së zhvilluar, të lirë dhe Europiane!", shprehet Basha.
Vetë protestuesit shprehen të vendosur për të vijuar betejën e tyre. Ata thonë se nuk do të tërhiqen dhe do të mbrojnë me jetë pronat, për të cilat deklarojnë se kanë investuar për vite me radhë. “Këtu do të qëndrojmë ta mbrojmë me jetë”, deklaron për gazetën “Si” njëra prej protestueseve.
Për aksin nga “Pallati me Shigjeta” tek rrethrrotullimi “Shqiponja”, me një gjatësi rreth 2 kilometra qeveria ka vendosur një fond prej 40 milionë eurosh në tender, ose 20 mln euro për një kilometër rrugë. Ministria e Infrastrukturës e ka justifikuar shifrën e fryrë pasi sipas saj bëhet fjalë për një vepër komplekse me shumë nyje, mbikalime dhe nënkalime.
I gjithë ky aks është ndarë në tre lote. Tenderin për lotin e parë e fitoi kompania “Biba X” dhe “DH Albania, për lotin e dytë kompania “Salillari” dhe për lotin e tretë “Victoria Invest”. Tenderi i parë u anulua nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar pas zbulimit në media se DH Albania kishte marrë pjesë dhe fituar tenderin me vlerë 20 mln euro me dokumentacione të falsifikuara.
Prokuroria nisi hetimet dhe ka shpallur në kërkim pronarin e kompanisë DH Albania, regjistruar në Shqipëri si degë e një kompanie ndërkombëtare, por tërësisht me dokumentacion të rreme, përfshirë këtu datën e themelimit. Për këtë, në kërkim është shpallur pronari i kësaj kompanie, një 26-vjeçar, ish-punonjës në një prej spitaleve private në Tiranë.
Për dy lotet e tjera, pra loti 2 dhe 3 të fituara përkatësisht nga Salillari dhe Victoria Invest tenderat konsiderohen të rregullt nga Ministria e Infrastrukturës dhe disa kohë më parë, ministrja Belinda Balluku tha se puna do të vazhdojë.
Por, punimet nuk kanë nisur ende për shkak të protestës së banorëve. Aktualisht, protesta është përëqëndruar në lotin e 3-të. Banorët kërkojnë që të dëmshpërblehen me çmimet e tregut për shtëpitë dhe ndërtesat e ngritura ndër vite, ndërkohë që Qeveria ka dëmshpërblyer vetëm ata që kanë përfituar legalizimet, ndërsa pjesën e palegalizuar refuzon që ta dëmshpërblejë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.