Lajme

Basha sulmon Ramën: “Rruga e florinjtë”, për një grusht hajdutësh

Në vijim të turit të tij me qytetarët, kreu demokrat Lulzim Basha u ndal në zonën e ish-Kinostudios në Tiranë, ku deklaroi se qeveria po grabit mundin e shqiptarëve. Basha përmendi të ashtuquajturën “rrugën e florinjtë”, Milot-Balldre, e cila sipas tij po bëhet me djersën e popullit dhe nga kjo po përfitojnë oligarkët.

“Ne jemi të vendosur dhe të gatshëm t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve. Prandaj u futëm në këtë betejë, duke dorëzuar gjithçka, duke dorëzuar mandatet tona, duke u rreshtuar në krahun e popullit, sepse kjo është një betejë e gjithë popullit, kjo është një betejë për të ardhmen tonë në Europë. Fitorja do t’i takojë çdo shqiptari, - u shpreh Basha. - Po luhet buka e fëmijëve, djersa e prindërve të tyre. 296 milionë euro është njëra prej këtyre stekave, për vetëm 17 km rrugë. E di për çfarë e kam fjalën apo jo, për Milot-Balldren, për ‘rrugën e florinjtë’. Bota iu ka vënë emra të ndryshëm rrugëve tregtare. Rama po bëhet gati të ndërtojë rrugën e florinjtë, jo për qytetarët por për një grusht hajdutësh të babëzitur. 296 mln euro për 17 km”.

Ai tha se Rilindja është në vdekje klinike, “laku i është shtrënguar nga faktori ndërkombëtar. Në këto ditë të fundit, krimet korruptive të Edi Ramës po marrin përmasa të papërfytyrueshme”, deklaroi Basha.

Përveç akuzave për Edi Ramën, Basha dha mesazhe të qarta edhe për protestën e së dielës. Kreu i PD përdori një gjuhë të ashpër, teksa përmendi se “ata që sot drejtojnë janë horra” dhe ndaj sipas tij “ka ardhur koha të shporren”.

Basha tha se kush pret nga Rama, e ka tërësisht gabim, ndaj kërkoi që protestës mbarëpopullore t’i bashkohen të gjithë.

Basha, tha se Rama fut në burg ata që nuk kanë sot mundësi për të jetuar, teksa tha se oligardët si Vangjush Dako, Damian Gjiknuri e të tjerë vijojnë të pasurohen e të vjedhin.

Duke folur për protestën e së dielës, ai tha se nuk do të jetë e fundit, por javë për javë. Sipas tij, pjesëmarrja, qëndresa do e largojnë atë si kryeministër dhe largimin e oligarkëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë