Politike

Basha: Shqiptarët më të varfër! Objektivi ynë, largimi i Ramës

Kryedemokrati Lulzim Basha, në një takim me strukturat e PD në Tropojë deklaroi se qeveria ka diskriminuar bashkitë e veriut për të ndëshkuar politikisht qytetarët që nuk mbështesin qeverinë e Edi Ramës.
Kreu i opozitës, i cili ndodhet sot në një tur takimesh në veri dhe verilindje të vendit të vendit tha se fondet kanë shkuar për bashkitë kliente të Edi Ramës.
“Vetëm Veliera e Durrësit ka kushtuar më shumë sesa çka marrë investime i gjithë qarku i Shkodrës. Ky është aparteid”, tha Basha.
Kreu i opozitës ndau me demokratët shqetësimin për gjendjen e rëndë ekonomike në vend, për shkak të përqendrimit të ekonomisë në pak duar klientësh dhe oligarkësh të Edi Ramës.

Kryedemokrati Basha gjatë takimit me strukturat e PD në Tropojë

“Pasuritë minerale, bregdetin, pyjet, gjithë ekonominë ua ka dhënë për dy lekë klientëve të vet, oligarkëve dhe të fortëve, më të cilët grabit vendin. Pasuritë natyrore, mineralet mbanin dikur ekonominë dhe ushqenin Shqipërinë, kurse sot nga to nuk merren as taksa dhe asnjë përfitim për shqiptarët, por vetëm pasurim për oligarkët grabitqarë”, u shpreh ndër të tjera Basha.
Kreu i opozitës theksoi me shqetësim se politika grabitqare e qeverisë nuk ka prodhuar mirëqenie përmes turizmit apo tregtisë.
“Ato kanë prodhuar miliona për klientët e Ramës dhe më shumë varfëri për popullin. Këto politika grabitqare po shkatërrojnë turizmin dhe ekonomitë e vogla familjare për të pasuruar klientët grabitqarë të Ramës”, tha kryedemokrati.
Mes të tjerash, lideri demokrat u shpreh se vendimet speciale të qeverisë për llogari të pak oligarkëve, u kanë hequr shqiptarëve të drejtën që të gëzojnë pasuritë e vendit.
“Bregdetin ua ka vjedhur qytetarëve dhe ia ka dhënë me vendime speciale oligarkëve, që kanë ndërtuar në toka të vjedhura buzë detit. Ka marrë pyjet dhe ua ka dhënë për dy lekë oligarkëve. Pyjet kanë qenë të shqiptarëve tani janë të oligarkëve. Lumenjtë, kanionet, ujëvarat po ua merr shqiptarëve dhe po ua jep oligarkëve për hidrocentrale dhe betonizim. Ato kanë qenë të shqiptarëve, tani janë të oligarkëve grabitqarë”, theksoi kreu i opozitës.
Në fund, Basha tha se qëllimi i aksionit politik të opozitës ka qëllim largimin e Edi Ramës, qeverinë tranzitore që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.
“Vendimi për mospjesëmarrjen në farsën e 30 qershorit ishte vendim politik unanim për të vazhduar betejën, për të arritur objektivin tonë, largimin e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri, rikthimin e të drejtës shqiptarëve për të zgjedhur me votë parlamentin dhe pushtetin vendor që meritojnë”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë