Politike

Basha: Rritja e pagës minimale, tallje! S’bëhet me dekret qeveritar

Lulzim Basha e interpretoi tallje për fushatë elektorale vendimin e Qeverisë që hyn në fuqi nga 1 janari për rritjen e pagës minimale në 30 mijë lek.

Basha u takua këtë të mërkurë me përfaqësues të biznesit në qytetin e Shkodrës. Pjesëmarrësit bënë një panoramë të përgjithshme më shumë se të zymtë të sipërmarrjes në këtë qytet dhe iu ankuan kreut të Partisë Demokratike se rritja e pagës minimale do të rriste pagesat e tyre për sigurime.

“Rrogat dhe ekonomia nuk rriten me dekret qeveritar. Plani ynë është që paga minimale të rritet pasi të rriten fitimet e biznesit, pasi të rritet ekonomia”, tha Basha.

Kreu i opozitës foli për një krizë 7-vjeçare të ekonomisë, të cilën pandemia veçsa e nxorri zbuluar. Ai thotë se Qeveria ka dhënë paketën financiare në mbështetje të biznesit dhe të qytetarëve më të voglën në rajon, çka ka bërë që ekonomia të bjerë dyfish. Basha propozoi gjithashtu që pagesën e punonjësve që karantinohen për shkak të Covid ta kryejë Qeveria dhe jo biznesi.

“Jemi vendi me paketën më të vogël të ndihmës ekonomike. Propozuam që të paguhet 200 mijë lek në muaj për çdo punonjës. Mungesa e ndihmës dyfishoi rënien ekonomike krahasuar me rajonin. Nuk është përgjegjësi e biznesit të paguajë punëtorët në vetëkarantinim”, u shpreh ai.

Basha vlerësoi propozimet e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi për t’i ardhur në ndihmë biznesit të vogël, por akuzoi Këshillin Bashkiak se për arsye politike mban të bllokuara këto propozime. Sipas kreut të PD-së, në Shkodër janë mbyllur për shkak të krizës rreth 5 mijë biznese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë