Politike

Basha: Rilindja, e inkriminuar. Rama e kërcënon me 23 padi

Partia Demokratike ka vendosur që të mos marrë pjesë në seancën parlamentare të së enjtes, duke paralajmëruar ndërkohë ndezjen e motorëve për fushatën e ardhshme elektorale.

Kryedemokrati Lulzim Basha në mbledhjen e zhvilluar me dyert të mbyllura ka bërë të ditur se do të kenë zhvillime të rëndësishme, duke paralajmëruar publikimeve të skandaleve të tjera, që sipas tij, implikojnë mazhorancën socialiste.

Demokratët janë të vendosur që të vijojnë denoncimet ndaj kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, ku tashmë pas dorëheqjes së Fatmir Xhafës nga posti i ministrit të Brendshëm, kjo është beteja e radhës së opozitës.

Sipas burimeve mësohet se Basha ka deklaruar se “është sugjeruar nga grupi hetimor arrestimi i Vangjush Dakos, por nuk është bërë nga Prokuroria”.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në mbledhjen e grupit se "Vangjush Dako mori pjesë në mbledhjen e grupit të PS për të marrë mbështetje nga Rama".

Opozita akuzon Dakon se në bazë të përgjimeve të dala nga hetimi i grupit Avdyli, të bandës së Shijakut, rezulton se ai ka bashkëpunuar me ta për blerjen e votave në Qarkun e Durrësit

Dekriminalizimi i zgjedhjeve është pjesë e strategjisë së opozitës. Për kryedemokratin Basha si rezultat i blerjes së votave janë 15 mandate të PS-së të delegjitimuara.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke folur gjate nje mbedhje te grupit parlamentar demokrat/foto LSA.

"Vendi është në kolaps total. PD do të vazhdojë betejën për dekriminalizimin e zgjedhjeve. Ne do të përgatitemi intensivisht për zgjedhje dhe do t'i fitojmë ato. Duhet të bëhemi gati, dita e përballjes me qeverinë mund të jetë më e shpejtë seç e mendojmë. Skandale të tjera do të dalin", mësohet të ketë thënë Basha në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura.

Basha: Të arrestohet Dako, Xhafaj nuk mund të shpëtojë

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-s, kryedemokrati Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp duke bërë ditur më në detaje denoncimet ndaj atyre që janë të kapur dhe bashkëpunojnë me krimin organizuar në zgjedhje, duke e cilësuar Rilindjen si organizatë kriminale.

Për Bashën kjo e ka zanifillën te zgjedhjet e pjesshme lokale për bashkinë e Dibrës, ku përgjimet nxorën në skenë bashkëpunimin me Ymer Lalën, babai i deputetes së PDIU-së, Reme Lala, me eksponentë krimit.

Ai gjithashtu kërkoi arrestimin e Vangjush Dakos, të Elvis Rroshit, ku sipas tij përgjimet e nxjerra me dosjen 339 janë vetëm maja e Ajsbergut.

“Edi Rama e ka nënkontraktuar fushatën elektorale tek krimi, proces që ka nisur një vit para zgjedhjeve të 2017-ës. Në vend të shtabeve, Rilindja krijoi organizata kriminale që të manipulojë zgjedhjet. Këto shtabe kriminale të Rilindjes kanë pasur objektiva të qarta që përbëhet nga drejtues të lartë të PS. Kundërshtari jonë politik, PS është një parti e kapur nga krimi. Nuk ka pothuajse asnjë drejtues të PS-së që nuk është i eksponent i krimit, apo që ka bashkëpunuar me krimin.  Edhe po të lëmë mënjanë Elvis Rroshin,  Arben Ndokën, Prengën dhe kriminelët që i ka sjellë në Kuvend direkt, të gjithë personat e tjerë janë faktuar për lidhjet me krimin nga Taulant Balla te Damian Gjiknuri, nga Vangjush Dako te Qazim Sejdini, te Ulsi Manja me radhë. Pra organizata e Rilindjes si një organizatë kriminale e ka kthyer PS në një narko-parti. Domethënia  praktike e kësaj gjendjeje të PS-së është se qeverisja ka mbaruar. Rama ka ndalur së qeverisur vendin dhe pushteti që ka marrë me ndihmën e kriminelëve nuk e përdor më për të qeverisur, por për të për të mbrojtur pushtetin dhe lidhjet e tij me krimin”, deklaroi Basha.

Sipas kryedemokratit, kryeministri po bën përpjekje janë për të shpëtuar nga bashkëpunëtorët e tij në zgjedhje nga drejtësia.

“Çdo gjë bëhet për të mbrojtur Vangjush Dakon, Samir Tahirin, Damian Gjiknurin dhe të tjerët nga drejtësia. Qeveria e Ramës përbën në kosto dhe burim rrezik për shqiptarët. Në planin konkret Fatmir Xhafaj edhe pse dha dorëheqje nuk mund të shpëtojë, ai duhet të hetohet për manipulimin e provave dhe fabrikimin e dëshmitarit të rremë. Madje edhe Ardi Veliu, natyrisht edhe u kudogjenduri Taulant Balla. PD-së dhe opozitës i ka ngelur në çark Ardi Veliu, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, një nga prokurorët e çështjes", tha Basha.

"Vangjush Dako duhet të arrestohet. Arrestimi i Vangjush Dakos sipas propozimit të grupit hetimor së bashku me Elvis Rroshin, Gent Dajën dhe prokurorin Arben Ndoi është një hap i paevitueshëm, pa të cilin kolapsi total i prokurorisë nga krimi dhe jo nga politika dëshmohet para shqiptarë, duke e kthyer një shtojcë të organizatës kriminale", tha Basha.

"As Dako, as Rroshi, as Ndoka, e Gent Daja dhe as eksponentët e tjerë të dosjes 339 nuk mund të hetohen me akuza të përgjithshme dhe aq më pak në liri. Përgjimet që janë bërë publike, janë vetëm maja e Ajsbergut, kjo me qëllim që të mbahet në kontroll situata, apo zbehur rolin e kryebashkiakut në transaksionet kriminale për zgjedhjet. Dako është kriminel i mirëfilltë që ka bashkëpunuar me krimin për para. Taulant Balla duhet të merret urgjentisht i pandehur dhe të hetohet për të gjitha çështjet. Nga bashkëpunimi me Edmond Begon, deri tek çështja e ‘Toyota Yaris’, tek ndërhyrja kriminale çështja ‘Xhisiela’ apo dhe bashkëpunimi kriminal me bandat e Elbasanit. Janë akuza të bazuara në fakte dhe prova e përgjime, që duhet të hetohen deri në një”, pohoi kreu i PD-së.

Gjithashtu kryedemokrati ka theksuar se ish-ministri Saimir Tahiri nuk mund ta kalojë lehtë sipas tij çështjen hetimore të nisur me dosjen “Habilaj”.

“Saimir Tahiri duhet të hetohet në thellësi, të heqin dorë nga skenari se mund të akuzohet për krime të lehta dhe jo për trafikun e drogës. Ai ka qenë eksponent direkt i krimit dhe i trafikut të drogës dhe këtë nuk e mbulon dhe e fsheh askush. Janë prioritet absolute, PD ne do të vazhdojmë betejën tonë politik dhe me regjimin e inkriminuar të Edi Ramës deri në largimin e tij. Pa dekriminalizimin e zgjedhjeve dhe pa ndarjen e politikës nga krimi në Shqipëri nuk do të ketë asnjë hapësirë normale për proces normal politik. Procesi normal politik ka marrë fund kur Edi Rama vendosi të bashkëpunojë me krimin për të ardhur në pushtet”, shtoi demokrati.

Ndërsa si denoncim i skandalit, PD e lidh tenderin prej 15 milionë eurosh që iu dhurua një kompanie kroate në kushte tërësisht të mistershme, dhe është provë se korrupsioni në qeverinë Rama ka rrënjë të thella, ku sipas Bashës, kjo ishte një dhuratë që kryeministri Rama bëri për vëllanë e tij, Olsi Rama.

 Ai paralajmëroi se firma kroate do të jenë subjekt i ligjit Antimafia dhe nuk do t’i gëzojnë paratë e marra me këtë tender.

“Në rrafshin e skandaleve mund t’ju them se dosja 339 me të cilën keni parë vetëm majën e ajsbergut në vetvete është pjesë e disa hetimeve të nisura nga prokuroria, të nisura disa prej tyre nga ana jonë, siç është dosja hetimore e Dibrës, numrin do e keni më vonë sapo ta kemi, ku janë interceptuar në mënyrë ligjore, janë krijuar prova dhe fakte ligjore të përfshirjes së Sajmir Tahirit asokohe ministër i Brendshëm, Damian Gjiknurit dhe të paktën 4 deputetëve të tjerë të PS-së në transaksione të së njëjtës natyrë si dosja 339, me banda të krimit të organizuar dhe figura të krimit të organizuar si Ymer Lala e të tjerë, për të blerë dhe ushtruar presion në masakrën zgjedhore të vitit 2016 në Dibër”, theksoi Basha.

Sipas tij, prokuroria e Krimeve të Rënda dhe e Elbasanit kanë të paktën të përfshira në transaksione financiare të ngjashme me Dibrën, dy deputetë Taulant Ballën dhe kryebashkiakun Qazim Sejdini.

Ai e cilësoi si sukses faktin se 350 zyrtarë janë larguar nga procesi i dekriminalizimit, e janë dy ministra të larguar si Tahiri dhe Xhafaj, duke shtuar se “do ta luftojmë dhe thellojmë duke larguar politikanët e lidhur me krimin, duke i vendosur para një drejtësie të shenjtë dhe të pavarur”, duke mos harruar të përmendë largimin e Ramës nga pushteti.

Reagimi i Ramës: Shihemi në gjyq

Pas kësaj konference ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili ka bërë të ditur se kryedemokratin do ta padisë në gjyq për shpifje.

“Artist, jam i impresionuar! Departamenti Antishpifje paska konstatuar sot shkaqe për 23 padi ndaj teje. Konferencë shtypi me diarre intensive më thonë! E di xhan e di,të kanë zënë të prerat nga zgjedhjet që po vijnë e po bën gati terrenin e humbjes fitimtare të radhës! Mbahu fort”, reagoi kryeministri nëpërmjet rrjeteve sociale.

https://twitter.com/ediramaal/status/1057258909436657665

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë