Lajme

Basha refuzon ftesën: Zgjidhja, largimi i Ramës

Kryetari i PD, Lulzim Basha duket se ka refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog. Edhe pse në mënyrë indirekte dhe jo duke i kthyer përgjigje letrës së shefit të qeverisë, kreu i PD tha nga Durrësi se nuk ka kthim pas dhe se nuk pranon teatër.

“Tani ka ardhur koha e një beteje vendimtare për jetë a vdekje për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Ka 6 vjet që Evropa na ka mbyllur dyert për shkak të Ramës, pasi asgjësoi zgjedhjet dhe mbushi bashkitë dhe parlamentin me vrasës dhe hajdutë. Ne nuk pranojmë teatër me interesat e shqiptarëve. Ne kemi një mision, nuk jemi parti e zakonshme. Ne jemi partia që rrëzuam diktaturën. Tani do të shembim tiraninë e krimit. Kemi dy dilema para, kapitullim apo përballje deri në fitore. Rama vodhi zgjedhjet dhe po vjedh Shqipërinë. Rama na propozon kapitullimin. Kërkon që më 30 qershor të bëjmë sehir, ndërsa ai bën grusht shteti”.

Basha deklaroi se nuk do të ketë zgjedhje me 30 qershor. “Nëse tenton me 30 qershor zgjedhje false, do përballemi me çdo qendër votimi dhe kuti votimi. Misioni ynë është një mision kombëtar. Në historinë e shoqërive në përballje të tilla, vijnë momente si ky ku ndodhemi sot, ku një parti e madhe me një histori të madhe dhe një mision të madh kombëtar, si Partia Demokratike e Shqipërisë, duhet të vendosë nëse duhet të zgjedhë rrugën e rehatit, rrugën e pazarit, rrugën e kompromisit me të keqen për hir të pushtetit dhe karriges, apo rrugën e vështirë, të drejtë dhe hyjnore të betejës për njerëzit, për Shqipërinë, për të ardhmen e saj”, - vijoi ai.

Kryedemoktati theksoi se opozita e ka bërë zgjedhjen e saj, duke qëndruar në krah të njerëzve. “Ne kemi ndalur çdo kalkulim të vogël politik. Ne nuk luajmë me portat e vogla të krimit dhe të oligarkëve, siç luan i babëzitur nga mëngjesi deri në darkë Edi Rama. Nuk e njohim dhe nuk e pranojmë atë lojë. Ne nuk pranojmë teatër me interesat e shqiptarëve. Ne jemi ngritur mbi interesat tona të ngushta politike”.

Sipas kreut të opozitës, pa u hetuar dosjet “339 dhe 184” dhe pa u vënë para drejtësisë Taulant Balla  dhe Damian Gjiknuri, “ nuk do të ketë asnjë shans për shpëtim”.

“Edi Rama i ka kapur të gjitha. Ka sot qeverinë, pseudo parlamentin, pseudopolicinë, pseudo drejtësinë, mediat kryesore. Ai ka kapur ekonominë me oligarkët. Një grusht njerëzish me në krye Edi Ramën i kanë kapur të gjitha. Atëherë, ku janë asetet tona?  Ku është forca jonë? Ku janë mjetet tona? Që kurrë më qeveria të mos jetë peng i kriminelëve, kjo betejë nuk do të përfundojë thjesht dhe vetëm me largimin e Edi Ramës. Largimi i Edi Ramës është hapi i parë i panegociueshëm, hapi që do t’i hapë rrugë zgjidhjes politik të krizës”, - deklaroi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë