Politike

Basha: Raportet e KE, joreale! Negociatat nuk hapen

Lulzim Basha thotë se nuk janë protestat e opozitës ato që do të shtyjnë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, por gjendja reale në të cilën ndodhet vendi, që sipas tij është shumë larg asaj që përshkruhet në raportet e progresit nga ana e Komisionit Europian.

Në një intervistë për BBC, kryetari i Partisë Demokratike foli për një shqetësim në rritje të Brukselit dhe i cilësoi si të “sheqerosura” raportet e hartuara prej institucioneve të Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe kërkoi prej tyre që të heqin dorë nga gjuha standarde diplomatike.

“Protestat janë pasojë e krizës së thellë politike në vend. Kështu që, pavarësisht, raporteve të sheqerosura, jo reale, Bashkimi Europian është ekstremisht i shqetësuar se realiteti në terren është shumë larg nga përshkrimet e burokratëve në Bruksel. Kjo duhet të jetë edhe një kambanë alarmi për vet institucionet e Bashkimit Europian, që t’i japin fund gjuhës së drunjtë se “shumë është bërë, por nevojitet dhe shumë për të bërë" dhe të përqendrohen te problemet e vërteta me të cilat përballet vendi”, deklaroi Basha.

Sipas kreut të PD-së, shtyrja e hapjes së negociatave thuajse është vendosur dhe ky nuk është problemi më i madh për vendin. “Vende anëtare kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm. Pyetja shtrohet: çfarë vjen pas kësaj? Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe”, thotë Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike thotë se integrimi dhe vlerat europiane po mbron protesta e opozitës.

“Shqipëria nuk mund t’i bashkohet BE-së me gënjeshtra, me fabrikime, me zgjedhje të vjedhura, me bashkëpunim me krimin e organizuar, me korrupsionin në nivelet më të larta të këtyre 29 viteve, me pandëshkueshmërinë e njerëzve me pushtet”, shtoi ai.

Gazetari britanik, Julian Worricker e nisi intervistën me pyetjen nëse kryetari i Partisë Demokratike e dënon dhunën e reflektuar në protestat e opozitës, por thotë se ajo është pasojë e zemërimit në rritje të qytetarëve.

“Absolutisht! PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima, asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua, është shprehje e zemërimit në rritje. Këto protesta janë pasojë e një krize që ka shpërthyer me të gjithë fuqinë gjatë 4 muajve të fundit: krizë kushtetuese, krizë politike dhe pasojat e saj ekonomike e sociale”, vijoi ai.

Përgjegjësinë për episodet e dhunës, Basha e gjen më fort tek policia dhe si shembull për BBC sjell rastin e Sait Dollapit.

“Asnjë polic i vetëm nuk u lëndua. Por numri 3 i PD-së u dhunua brutalisht dhe dhunshëm nga policia. Media ishte në gjendje ta filmonte këtë episod dhe ta transmetonte live. Në vend që këta policë të përballen me përgjegjësitë e tyre, sipas ligjit, ata janë marrë personalisht nën mbrojtje nga kryeminstri”, vijoi ai.

Basha akuzoi Kryeministrin Rama se po mbron dhe promovon në karrierë emrat e vartësve të tij që, sipas kreut të PD-së, kanë dalë në mijëra orë përgjime të prokurorisë, ku provohet bashkëpunimi me krimin e organizuar për vjedhjen e zgjedhjeve.

“Disa nga këto përgjime janë publikuar nga Zëri i Amerikës dhe dy ditë më parë nga gazeta më e madhe gjermane Bild. Nuk ka absolutisht asnjë veprim në lidhje me këto akuza. Asnjë politikan nuk është thirrur për t’u marrë në pyetje dhe politikanët e përfshirë jo vetëm nuk janë ndëshkuar, por janë promovuar dhe janë mbrojtur nga Kryeministri”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë