Politike

Basha, Ramës: Shqipëria në ujë, ti bën propagandë. Kryeministri: Në ujë është Saliu dhe Iliri

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është mbushu me mllef kur kryeministri Edi Rama në një dalje mediatike për rreth një orë fliste për situatën e përmbytjeve dhe mbi të gjitha për investimet që ishin bërë këto kohë nga qeveria që ai drejton.

“Kush ka qenë 8 vite kryeministër? Kush i ka pasur të gjitha pushtetet këto 8 vite? Kush ka pasur miliarda euro në duar për të zgjidhur këto probleme në 8 vite? Dhe tani në këtë moment në vend që të mendojë për hallin e këtyre njerëzve që sot, përmbytjes, pandemisë, krizës ekonomike i është shtuar edhe një ditë e acartë edhe paralajmërohet edhe nesër një ditë tjetër e acartë  prapë del pa pikë turpi dhe flet sikur ka ardhur dje në qeveri. Ka 8 vjet kryeministër. Kujt t’i kërkojnë llogari njerëzit? Kush e ka përgjegjësinë për këtë situatë dhe çfarë po bën për t’ju ardhur në ndihmë? Çfarë po bën për t’iu ardhur në ndihmë?

Të gjithë janë ngritur në këmbë. Kushdo po mundohet të bëjë aq sa mundet, ky që e ka përgjegjësinë me ligj, ulet atje 2 orë bën propagandë me fatkeqësinë. Boll më! 8 vite dështim. 8 vite vetëm propagandë”, tha Basha në një dalje të posaçme për mediat në shkallët e selisë së PD-së.

Sipas Bashës, ka vetëm një zgjidhje.

“Ky dështak prodhon vetëm dështime dhe ka një dhe vetëm një zgjidhje,  të bëhemi të gjithë bashkë e ta largojmë burimin e të gjithë këtyre fatkeqësive që është një njeri që edhe përmbytjen, si çdo fatkeqësi tjetër, po mundohet ta kthejë në propagandë duke mashtruar, duke gënjyer, duke fajësuar”.

Pas daljes së Bashës, reagoi edhe kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Twitter.

Postimi i tij nuk kishte nota serioze sa kundërshtari që do të ketë në zgjedhje për qeverisjen e ardhshme.

 "Qindra mijëra njerëz nën ujë edhe sot" sipas LB! Në fakt nën ujë janë Saliu, Iliiri, Luli dhe Mona që duan ta bëjnë komerdare edhe tërmetin, edhe virusin, edhe shiun, edhe borën, madje edhe Nusretin bashkë me Tiren, i duan për komerdare! Po halli është që s'i pret kush matanë”, shkruan ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë